Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Rama sqaron si qëndron e vërteta e “refuzimit” të takimit me Fredi Belerin në Tiranë

Rama sqaron si qëndron e vërteta e “refuzimit” të takimit me Fredi Belerin në Tiranë

Në një intervistë për mediet greke, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur për çështjen e Fredi Belerit dhe ndikimin që pati në raportin me Greqinë. Të gjithë vëmendjen ndaj këtij rasti, Rama e komentoi si “shumë zhurmë për asgjë”.

“Drejtësia në Shqipëri është e pavarur dhe askush nuk mund të ndërhyjë në të, as qeveria shqiptare, as qeveria greke dhe sistemi i drejtësisë shqiptare ka marrë një vendim. Pra, ky vendim nuk është për diskutim, është vetëm për zbatim.

Ajo që ndodhi nuk e ndryshon pikëpamjen time se Kyriakos është një lider shumë modern i Greqisë dhe unë e shoh atë si një person shumë inteligjent. Shumë i arsimuar, politikan shumë i zoti. Kështu që unë kam për të veç respekt dhe miqësi dhe ne jemi miq. Unë e konsideroj atë një mik të mirë.

Sigurisht që ai është kryeministri i Greqisë dhe unë jam kryeministër i Shqipërisë dhe në këto poste mbizotërojnë interesat kombëtare apo çfarëdo që ju konsideroni interesa kombëtare mbi miqësinë dhe kështu është, por nuk shoh asnjë problem nga ana ime për të forcuar më tej këtë marrëdhënie me Greqinë”, tha Rama.

Gjithashtu ai sqaroi përse nuk arsyet përse nuk u takua me Belerin kur erdhi në Tiranë javën e shkuar si pjesë e delegacionit të Eurodeputetëve për Komitetin e Stabilizim-Asociimit.

“Dhe një tjetër lajm i rremë është se unë refuzoj të takohem me të, sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë thjesht nuk kam takime me Eurodeputetët dhe kaq. Nuk i kam takuar europarlamentarët, jo tani, por as në të kaluarën”, shtoi kryeministri i Shqipërisë.

Një sqarim bëri edhe për çështjen e pronave të minoritarëve grekë në Himarë.

“Ka një keqkuptim total për pronat në Himarë, dhe ka shumë dezinformata në lidhje me çështjen e pronës, sepse nuk ka një gjë të tillë si problem specifik të pronave atje. Ka një çështje në gjithë Shqipërinë për pronat, të cilën po e përballojmë çdo ditë dhe po përparojmë. Dhe në fakt me kryebashkiakun e ri të Himarës po bëjmë shumë punë të mirë dhe brenda pak javësh do të përfundojmë regjistrimin e të gjitha shtëpive në të gjithë bashkinë.

Kështu që gjithçka që kam lexuar, dhe kam lexuar shumë marrëzi në mediat greke për shpronësimet, apo disa devijime, nuk bazohen në fakte. Kjo është thjesht propagandë”, tha Rama. Ashtu siç e tha dhe në fjalimin me shqiptarët që morën pjesë në takimin e Selanikut, Rama rithekson se për të është shumë e rëndësishme miqësia mes dy popujve”.

Powered by WordPress