Shkruan: Afrim Kasolli
Kandidatja e Partisë Demokratike për presidente, Kamala Harris, si dhe kandidati i Partisë Republikane Donald Trump, ndodhen në çastet finale të betejës së tyre elektorale. Nesër votuesit amerikanë do të vendosin se çfarë drejtimi do të marr superfuqia planetare. Por pse jo edhe bota, për shkak të ndikimit të këtij shteti. Me këtë ngjarje, po ashtu përmbyllet në një njëfarë mënyrë edhe testi global i demokracisë. Sepse ky vit ishte konsideruar si më i rëndësishmi në këtë drejtim. Rreth 4.2 miliardë banorë i janë drejtuar kutive të votimit në këtë hark kohor. Bota nuk do ta shoh një cikël tjetër të ngjashëm zgjedhor deri në vitin 2048.
Dita e nesërme po konsiderohet më e paparashikueshmja në historinë politike të SHBA-ve. Kështu edhe për shkak të margjinës së gabimit të hulumtimeve të opinionit publik, askush nuk mund ta thotë më siguri se cili nga këta dy kandidat do ta drejtojë Shtëpinë e Bardhw, nga janari i vitit 2025.
Megjithatë, si të tillë ata tashmë i përfaqësojnë “dy Amerika krejt të ndryshme” në aspektin social dhe politik. Pra këtu nuk është fjala për qëndrimet ndërmjet Kamala Harrisit dhe Donald Trupmit, sa i përket rolit gjeopolitik të SHBA-ve në botë, marrëdhënieve trans-atlantike, luftës në Ukrainë, Lindje të Mesme dhe Azi-Paqësor, çështjeve klimatike etj, por kryesisht fabrikës së brendshme sociale. Prandaj, fati i Donald Trump dhe Kamala Harris, do të varet se “cila Amerikë” do të jetë më e mobilizuar me 5 nëntor?
Kështu, Donald Trump e ka prapa vetes një grup shoqëror në masë të madhe homogjen, të dominuar kryesisht nga burrat, me bindje fetare evangjelike dhe të bardhë. Ky trup elektoral për shkak trendëve demografike si përqindje e popullsisë është në rënie e sipër. Prandaj, sipas Cas Mude, në shkrimin “Do we have any idea who will win the US election? No. Uncertainty is sky-high”, kjo shtresë është më e mobilizuar dhe motivuar, sepse tek Donald Trumpi e sheh drejtuesin që do ta mbrojë Amerikën e vlerave kulturore tradicionale. Sipas përfytyrimit të tyre ky shtet nuk mund të jetë ai i cili jemi mësuar ta njohim nëse ky grup kulturor e humb pushtetin. Një dëshmi kjo që betejat e dikurshme politike me motive ekonomike po bëhen gjithnjë e tepër edhe në përplasje politike kulturore.
Ndërkohë, prapa Kamala Harris qëndrojnë grupe më heterogjene sociale, çfarë në shikim të parë më të duket një përparësi, mirëpo që mobilizimi i tyre mbetet sfidë. Tradicionalisht, kjo parti është mbështetur nga votuesit me origjinë hispanike, e që kohën e fundit po ashtu sipas sondazheve kanë gravituar më shumë nga Partia Republikane, votuesit amerikano-afrikan, minoritetet tjera. Ndërkohë zhvillimet në Gaza, kanë ndikuar që edhe një pjesë, amerikanëve arabë dh ne përgjithësi myslimanëve amerikanë të jenë distancuar nga Partia Demokratike. Kjo nuk do të thotë që ata do të jenë pro Trumpit, por thjesht do të abstenojnë ditën e zgjedhjeve duke i komplikuar teje mase shanset e Kamala Harris.
Në anën tjetër, përkundër pretendimit të kësaj të fundit për t’u bërë zëdhënëse e shqetësimeve ditore ekonomike të qytetarëve mesatar amerikanë, megjithatë, Kamal Harris, sipas Robert Reich, në shkrimin, “To defeat Trump, Harris must talk more about the economy”, raportin fillestar ndërmjet demokracisë dhe ekonomisë, e ka zhvendosur në mbrojtjen e të parës nga kërcënimi prirjeve anti-demokratike të Donald Trumpit, me shpresën se në këtë mënyrë do të mund të rekrutojë me shumë votues të moderuar republikan. Mirëpo, kjo lëvizje taktike ka ndikuar që kryesisht fushata e saj të stopohet sepse shumica e amerikanëve vazhdojnë të jenë të fokusuar në ekonomi dhe se të njëjtit janë në kërkim të përgjigjeve për sfidat e tyre në ketë sferë. Për më shumë, Donald Trump me retorikën e atij kundër imigracionit, sipas të cilit këta janë duke ua vjedhur vendet e punës amerikanëve të zakonshëm, ia ka dalur që ta mobilizojë atë shtresë të punëtorëve që zakonisht kanë qenë të lidhur me Partinë Demokratike.
Në këtë kontekst, sipas këtyre dinamikave, ndonëse përsëri nuk mund të thuhet me siguri, sepse çdo gjë mbetet e paqartë, gjasat më të mëdha për fitore i ka Donald Trump, si përfaqësues politik i narracionit për një Amerikë më homogjene dhe që po kërcënohet politikat e Partisë Demokratike./TV Arberia