Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kuq e zi në Selanik, Edi Rama mbledh shqiptarët për t’ua kërkuar votën

Kuq e zi në Selanik, Edi Rama mbledh shqiptarët për t’ua kërkuar votën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vijuar sot turin e tij me diasporën duke u takuar me shqiptarët në Selanik, Greqi, në një sallë të mbushur në ‘Porto Palace’.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2025 dhe kërkoi mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, për të realizuar objektivin e Shqipërisë që të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade.

“Sot ju jeni votues që për herë të parë do të merrni pjesë në zgjedhjet e Shqipërisë duke gëzuar të drejtën për të votuar këtu ku ndodheni, nga shtëpia juaj,” u shpreh Rama.

Ai shtoi se në pranverën e ardhshme do të kërkojë votën e tyre nga Greqia, me qëllimin që Shqipëria e vitit 2030 të jetë një anëtare e plotë e BE-së.

Kryeministri theksoi se realizimi i këtij qëllimi do të mundësojë që vendi të përfitojë nga të gjitha përfitimet e të qenit pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.

“Për t’i dhënë Shqipërisë të njëjtën mundësi që ju shqiptarët e Evropës i keni dhënë familjeve tuaja,” tha Rama, duke shtuar se do të punojë për të ngritur flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut në Bruksel, si simbol të arritjeve dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, në kuadër të këtij objektivi madhor.

Powered by WordPress