Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Sulmet izraelite vrasin 31 persona në Gazë, përfshirë gra e fëmijë

Sulmet izraelite vrasin 31 persona në Gazë, përfshirë gra e fëmijë

Të paktën 31 palestinezë humbën jetën gjatë bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës të dielën, sipas burimeve mjekësore palestineze, ndërsa ofensiva ushtarake e Izraelit vazhdon në veri të rajonit.

Shumica e viktimave u regjistruan në qytetet veriore si Beit Lahiya dhe Jabalia, ku Izraeli ka ndërmarrë një fushatë intensive për të ndalur rigrupimin e Hamasit, raporton reuters.

Forcat izraelite kanë rritur praninë e tyre në terren, ndërsa Jabalia është shndërruar në një pikë strategjike të betejës.

Ushtria izraelite konfirmoi dërgimin e një divizioni të ri të trupave në këtë zonë, duke theksuar se qindra militantë palestinezë janë vrarë që nga fillimi i operacionit më 5 tetor.

Në të njëjtën kohë, Izraeli ka mohuar akuzat për spastrim etnik të Gazës veriore, duke theksuar se operacionet kanë për qëllim vetëm shkatërrimin e strukturave të Hamasit.

Ndërkohë, në zonat e goditura, përfshirë Khan Younis, janë raportuar sulme ajrore që kanë shkaktuar viktima të shumta, mes të cilëve dhe fëmijë.

Sulmet kanë ndikuar gjithashtu në procesin e vaksinimit të fëmijëve kundër poliomielitit, ndërprerë për shkak të rrezikut për sigurinë e prindërve dhe fëmijëve.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka reaguar ndaj këtij incidenti, duke kritikuar thyerjen e marrëveshjes së ndihmës humanitare nga ana e Izraelit dhe Hamasit, e cila parashikonte ndërprerjen e luftimeve për të lejuar vaksinimin e fëmijëve.

Ndërkohë, përfundimi i konfliktit mbetet një opsion i largët, me Hamasin që refuzon një armëpushim të përkohshëm dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që deklaron se lufta do të përfundojë vetëm me çrrënjosjen e Hamasit.

Luftimet në Gaza u intensifikuan pas një sulmi nga militantët e Hamasit më 7 tetor, që rezultoi në vdekjen e mbi 1,200 izraelitëve dhe kapjen e qindra pengjeve.

Në anën tjetër, bombardimet e Izraelit kanë lënë mbi 43,000 palestinezë të vrarë dhe kanë shkatërruar pjesën më të madhe të infrastrukturës në Gaza.

Powered by WordPress