“Normal që pagat i dimë si janë, i kemi pagat normalisht të vogla për punën administrative 8-orëshe që bëjmë, por gjithmonë shpresojmë se do të bëhet më mirë për ne”, thotë Merita Curri, e cila punon si sigurim fizik në Komunën e Prishtinës.
Kjo pasi paga aktuale e tyre është nën pagën e re minimale të përcaktuar nga Qeveria. Ata arrijnë të marrin deri në 300 euro pagë kur punojnë në ndërrime të natës ose gjatë ditëve të festave.
“Normal që i jam gëzuar, sepse presim të mbajmë familjen me këtë rrogë. Presim të marrim diçka më shumë, një pagë pak më të lartë. Mendoj se me rritjen e rrogës, diçka do të bëhet më mirë, sepse tani është pak më vështirë. Unë kërkoj një pagë më të mirë, sikurse të gjithë; besoj që do të bëhet me këtë ligjin e ri që e ka miratuar qeveria”, tha Oruq Ajazi, i cili punon si sigurim fizik në një kompani private
Megjithatë, ekzekutimi i pagave minimale vlerësohet si i pamundur për një pjesë të kompanive që i kanë punësuar këta punëtorë. Kjo për shkak se përllogaritjet për koston e ofrimit të shërbimeve janë bërë duke u bazuar në nivelin e mëparshëm të pagës minimale dhe, sipas atij niveli, janë nënshkruar kontratat për ofrimin e shërbimeve me institucionet publike.
Arsim Latifi, menaxher financiar në kompaninë e sigurimeve “Dela Security”, e cila ka disa kontrata me shtetin për ofrimin e shërbimeve, konsideron se ky ndryshim i ka dëmtuar shumë.
Ndërsa Yll Zekaj, përfaqësues ligjor i kompanisë Besa Group, tregon se që nga muaji shtator u janë drejtuar autoriteteve kontraktuese për të shqyrtuar mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi.
“Kemi kërkuar nga shumica e autoriteteve kontraktuese që të takohemi për të gjetur një zgjidhje për situatën, pasi jemi të vetëdijshëm se prej 1 tetorit do të hyjmë në këtë situatë. Ende nuk kemi marrë përgjigje. Presim që Ministria e Financave apo ndonjë dikaster tjetër të dalë me një udhëzim për autoritetet kontraktuese që të na tregojnë se cila do të jetë zgjidhja,” deklaroi Zekaj për Betimi për Drejtësi.
“Ne ju kemi adresuar shumicës së këtyre autoriteteve kontraktuese, për t’u takuar, për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar, sepse kemi qenë të vetëdijshëm që prej 1 tetorit do të hyjmë në këtë situatë. Ju kemi shkruar gjatë muajit shtator që të ulemi dhe të shohim se cila do të jetë zgjidhja. A do të ulet kohëzgjatja me qëllim që të mbulohet kjo kosto që do të prodhojnë këto kontrata në dëm të operatorëve ekonomik. Ende nuk marrë një përgjigje. Presim që qoftë Ministria e Financave apo zyra e thesarit apo ndonjë dikaster tjetër në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të del me një udhëzim për të gjitha autoritetet kontraktuese që të na tregoj se cfarë zgjidhje do të propozojnë për të dalë nga kjo situate, përndryshe në fund të tetorit, të gjithë operatorët ekonomik, të gjithë ata që ofrojnë shërbime, apo kanë të lidhur kontratë me autoritetin kontraktues për ofrim të shërbimeve, do të ballafaqohen me humbje goxha të mëdha dhe në pamundësi për t’i vazhduar kontratat e tyre të cilat i kanë aktive edhe për vitet në vazhdim”, ka deklaruar Zekaj për Betimi për Drejtësi.
Sipas Arsim Latifit, kompania që ai përfaqëson, ka disa kontrata me ministri të ndryshme, për t’u ofruar shërbimin e sigurimit fizik. Dhe për të fituar tenderin, sipas ligjit të prokurimit publik, kanë ofertuar me cmime minimale. Kështu, tani e kanë të pamundur të mbulojnë shpenzimet e pagave për punëtorë, sipas vendimit të ri.
“Ministria e Infrastrukturës kanë pranu me bë një negocim lidhur me këtë, por maksimalisht sic tregova deri në 30% që nuk është i mjaftueshëm. Ministria e Planifikimit Hapsinor nuk kanë dhënë përgjigje, nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me këtë drejtim”, deklaron ai.
Yll Zekaj, përfaqësues ligjor i kompanisë Besa Group, thotë se kompania të cilën e përfaqëson, ka të nënshkruara 7 kontrata me institucionet publike për ofrim të shërbimit të sigurimit fizik të objekteve të cilat do të zgjasin për rreth 3 vjet.
Sipas të dhënave të kompanisë, nëse do të aplikojnë vendimin e ri për pagën minimale, në këto kontrata të nënshkruara, dalin në humbje për 1.7 milion euro, ose 72% të vlerës monetare, deri në përfundim të tyre.
“Kemi me dhjetëra kontrata me institucione publike, shumica nga këto kontrata janë tri vjeçare dhe të lidhura gjatë këtij viti, kështu që kemi edhe më shumë se 2 vite që do të ballafaqohemi me këtë problem, në aspektin formal kemi një rritje të pagës prej 106% të pagës e cila reflekton në këto kontrata dhe në aktivitetin ekonomik që e zhvillon kompania të cilën e përfaqësoj unë”, thotë Zekaj.