Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Raporti për Vendin 2024 është dëshmi e radhës e rritjes ekonomike dhe progresit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Bislimi tha se raporti vjetor për vendin i hartuar nga Komisioni Evropian, rikonfirmoi zhvillimin ekonomik që po njeh vendi.
“Në kapitullin 2.3 të raportit ku flitet për zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë, theksohet rritja ekonomike, rritja e punësimit, rritja e të hyrave buxhetore, rritja e investimeve të huaja direkte, ulja e papunësisë, forcimi i stabilitetit makroekonomik, përmirësimi i raportit eksport-import, ulja e inflacionit, ulja e borxhit publik, zvogëlimi i informalitetit”, ka shkruar ai.
“Blloku i kritereve ekonomike është një prej më kryesoreve të procesit të integrimit evropian, dhe Kosova po tregon se po ecën me hapa të shpejtë drejt rritjes ekonomike dhe përafrimit me Bashkimin Evropian. Ka ende shumë punë për të bërë, por gjatë qeverisjes tonë po dëshmojmë maturi në dizajnimin e politikave ekonomike dhe drejtimin e vendit kah një trajektore e drejtë dhe e qëndrueshme e rritjes dhe zgjerimit të kapaciteteve të Kosovës”, ka theksuar ai.