Pas kthimit të përgjigjes nga Supremja, se kjo e fundit nuk jep mendime juridike për raste të papërfunduara, Gjykata Themelore ende është duke vlerësuar e analizuar këtë lëndë.
“Pas përgjigjes së Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me rastin e gjykimit në mungesë, Kryetari i Trupit Gjykues në këtë çështje penale është në fazën e analizimit dhe vlerësimit lidhur me gjykimin në mungesë, rrjedhimisht ende nuk është marr vendim nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.”- Gjykata Themelore në Prishtinë.
Mirëpo, për përgjigjen e Gjykatës Supreme dhe për veprimet tutje, avokati mbrojtës i njërit prej policëve të lënduar gjatë sulmit në Banjskë, tha se nuk është njoftuar nga gjyqtari.
Derisa Rudari thotë se Gjykata Themelore duhet t’i japë drejtim këtij rasti, dhe nëse është e nevojshme të konsultohet edhe më Këshillin Gjyqësor, ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani thotë se është vetëm një zgjidhje për këtë.
“E vetmja formë që të dilet nga kjo situatë që të krijohet bazë ligjore për gjykimin në mungesë, është amandamentimi shumë i thjeshtë dhe i shpejtë i Kodit të procedurës penale, përndryshe çdo gjykim pa praninë e këtyre në rrethanat e tanishme që është korniza ligjore, është i kompromitum dhe ndikon në zvarritjen e procedurës penale”, ka thënë Fejzullah Hasani – Ish kryetar i Gjykatës Supreme.
Pas ngritjes së aktakuzës, nga Prokuroria Speciale për këtë rast, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, në seancën fillestare, ndau procedurën ndaj 3 të akuzuarve që janë në paraburgim, ndërkohë që për 42 të tjerët kërkoi mendim juridik nga Supremja, për t’i treguar nëse lejohet gjykimi në mungesë por kjo e fundit vlerësoi se vendimi i takon po Gjykatës Themelore.
3 të akuzuarit për këtë sulm në të cilin vdiq një zyrtar policor i Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm.