Pas Arsenalit e cila humbi minimalisht si mysafir ndaj Newcastles në ndeshjen hapëse të xhiros, humbje ka pësuar edhe Man City.

Kampioni në fuqi është ‘shokuar’ nga skuadra e Bournemouth, duke humbur me rezultat 2-1.

Vendasit po udhëheqnin me rezultat 2-0 falë golave të Semenyos e Evanilson, me Gvardiol që shënoi golin e ‘nderit’ për mysafirët.

Kësisoj Manchester City njoftohet me humbjen e parë në kampionat, e cila deri më sot ishte skuadra e vetme që nuk dinte për humbje.

Në anën tjetër, Liverpool i ka shfrytëzuar më së miri këto gabime të Arsenal dhe Man Cityt, duke triumfuar sot ndaj Brighton në Anfield dhe përforcuar vendin e parë.

“Të Kuqtë” arritën një fitore të madhe me përmbysje, pasi u ndodhën në disavantazh pas pjesës së parë.

Mbrojtësi turk, Ferdi Kadioglu heshti tifozët vendas duke realizuar në minutën e 14-të.

Vendasit megjithatë treguan forcën e tyre, duke përmbysur gjithçka në pjesën e dytë, madje duke e bërë këtë brenda vetëm dy minutave.

Ishte sulmuesi holandez, Cody Gakpo ai i cili fillimisht barazoi shifrat në Anfield në minutën e 69-të, teksa dy minuta më vonë, Mohamed Salah me një gol fantastik nga distanca i dha epërsinë skuadrës së tij, që në fund doli të ishte edhe goli fitues i ndeshjes.

Me këto rezultate të sotme, Liveprool tani ndodhet lider me 25 pikë, dy më shumë se Manchester City që pas kësaj humbje mbetet në kuotën e 23 pikëve.

Befasinë po e bën Nottingham Forest, ku pas fitores së sotme të arritur ndaj West Ham në shtëpi 3-0, ata tani ndodhen në pozitën e 3-të me 19 pikë, duke kaluar Arsenalin e Aston Villan të cilat ndajnë pozitën e katërt dhe pestë me nga 18 pikë, ndonëse skuadra e Aston Villas ka një ndeshje më pak të zhvilluar.