Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > UNESCO: Çdo katër ditë vritet nga një gazetar

UNESCO: Çdo katër ditë vritet nga një gazetar

Një gazetar është vrarë çdo katër ditë në dy vjetët e fundit, sipas raportit më të ri të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Kulturë dhe Shkencë (UNESCO).

Raporti është publikuar të shtunën në ditën kur shënohet Dita ndërkombëtare për dhënie fund të pandëshkueshmerisë për krimet kundër gazetarëve.

Prej 162 vrasjeve të gazetarëve më 2022 dhe 2023, të verifikuara nga organizata me bazë në Paris, më shumë se gjysma janë kryer në një shtet të prekur nga konflikti i armatosur.

Shumë profesionistë të mediave kanë vdekur nëpër vendlindjet e tyre, sipas raportit.

Ata që kanë vdekur në shtetet pa konflikte, janë vrarë për shkak të fokusit në krim të organizuar dhe korrupsion, apo duke raportuar prej protestave, sipas raportit që publikohet çdo dy vjet, dhe analizon sigurinë e gazetarëve në mbarë botën.

Në raport është thënë se 162 vrasjet e verifikuara të gazetarëve më 2022-23 përbëjnë
“rritje prej 38 për qind në krahasim me periudhën paraprake, kur UNESCO ka regjistruar 117 raste të vrasjeve. Kjo periudhë përbën edhe numrin më të madh të vrasjeve prej periudhës 2016-2017”.

“Këto krime nuk mund të mbesin pa u ndëshkuar”, ka thënë drejtoresha e UNESCO-s, Audrey Azoulay, përmes një deklarate.

Numri me më së shumti gazetarë të vrarë më 2022 ka qenë Meksika, me 19 raste, derisa më 2023, numri më i madh i gazetarëve të vrarë, 24, është regjistruar në territoret palestineze, ka thënë UNESCO.

Sipas raportit, Amerika Latine dhe Karaibet, si dhe shtetet arabe, janë rajonet me numrin më të madh të gazetarëve të vrarë.

Sipas gjetjeve të raportit, për shumicën e vrasjeve askush nuk është mbajtur përgjegjës.

UNESCO-ja ka thënë se shkalla globale e pandëshkueshmerisë më 2024 ka shkuar në 85 për qind, një ulje e vogël në krahasim me 89 për qind më 2018 dhe 95 për qind më 2012.

Powered by WordPress