Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Harris apo Trump: Çfarë e pret Ukrainën?

Harris apo Trump: Çfarë e pret Ukrainën?

Kur amerikanët të votojnë për president më 5 nëntor, vendimi i tyre do të ketë jehonë në të gjithë botën.

Ukraina – mbrojtja e së cilës kundër Rusisë varet shumë nga mbështetja ushtarake, financiare dhe diplomatike e SHBA-së – mund t’i ndiejë efektet më shumë se çdo vend tjetër i huaj.

Nën presidentin në largim, Joe Biden, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës më shumë se 56 miliardë dollarë vetëm ndihma për sigurinë, prej se Rusia ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.

Ato i kanë dhënë vendit në luftë edhe dhjetëra miliarda të tjera në forma të ndihmës financiare dhe humanitare.

“Faktori më i rëndësishëm që do ta përcaktojë rezultatin e luftës dhe, sigurisht, atë që do të ndodhë në muajt e ardhshëm, janë zgjedhjet në SHBA”, thotë Ruth Deyermond, pedagoge e lartë në Departamentin e Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës.Rezultati i zgjedhjeve “do të përcaktojë, në fakt, nëse Ukraina do të vazhdojë të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, ose masën se sa do të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara”, thotë Deyermond për Radion Evropa e Lirë.

Ish-presidenti republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentja demokrate, Kamala Harris, kanë shprehur qëndrime shumë të ndryshme për mbështetjen për Ukrainën.Harris ka thënë se do ta vazhdojë politikën e Bidenit për ta ndihmuar Ukrainën, duke shprehur qartë dëshirën e saj për ta parë Rusinë të mposhtur.

Trump e ka vënë në pikëpyetje mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, duke thënë se Evropa duhet ta mbajë pjesën më të madhe të barrës në mbështetjen për Kievin kundër pushtimit rus, si dhe e ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s.Ai ka refuzuar të komentojë nëse do që Ukraina të fitojë dhe ka pohuar vazhdimisht se nëse zgjidhet, ai do t’i jepte fund luftës shumë shpejt – edhe para se ta merrte detyrën në janar.

“Ndërsa mund të presim që një Shtëpi e Bardhë nën Harrisin do të vazhdojë të veprojë në të njëjtën mënyrë si Shtëpia e Bardhë nën Bidenin – sigurisht jo me ndonjë kthesë dramatike sa i përket Ukrainës – Donald Trump e ka bërë shumë të qartë se ai dëshiron të shohë një fund të luftës shpejt”, thotë Deyermond.“Dhe, ne e dimë se një nga prioritetet e tij afatgjate të politikës së jashtme, një nga pozicionimet e pakta të qëndrueshme në politikën e jashtme që ai ka mbajtur qysh para se të zgjidhej në vitin 2016, ka qenë, siç ka thënë, mirëkuptimi me Rusinë. Kështu që ai do të dëshironte të shihte që lufta të përfundonte shpejt, dhe sipas kushteve të Rusisë, mendoj”, shprehet Deyermond.

Trump ka thënë se kushtet e presidentit rus, Vladimir Putin, për bisedimet e paqes “janë të papranueshme” dhe kjo do të thotë se ai ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë se presidentët tjerë.Ai, po ashtu, ka thënë se Putin nuk do ta pushtonte Ukrainën, nëse ai do të ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Në vitin 2017, ai i ka dhënë dritën jeshile SHBA-së për t’i ofruar ndihmë vdekjeprurëse Ukrainës, diçka që paraardhësi i tij, demokrati Barack Obama, ka refuzuar ta bëjë, për shkak të shqetësimeve se mund ta provokojë Moskën.“Jo më”
Në prill, Trump ka thënë se do të ishte i hapur për diçka si programi i huadhënies – përkatësisht si ai që Shtetet e Bashkuara aplikuan për t’i ndihmuar aleatët gjatë Luftës së Dytë Botërore – në vend të granteve të ndihmës.

Trump ka folur pak për mënyrën se si do t’i jepte fund luftës së Rusisë në Ukrainë.Në një intervistë për Fox News në korrik të vitit 2023, ai ka thënë se do të përpiqet ta shtyjë presidentin rus, Vladimir Putin, të negociojë, duke kërcënuar se do t’i hapë rubinetat e ndihmës për Ukrainën.

Në anën tjetër, ai ka thënë se do t’i bënte presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke kërcënuar se do ta ndalojë ndihmën.“Do t’i thosha Zelenskyt: ‘Jo më! Duhet të bësh një marrëveshje’. Do t’i thosha Putinit: ‘Nëse nuk bën marrëveshje, ne do t’i japim shumë [Zelenskyt]’”, ka thënë Trump.

“Do ta bëja marrëveshjen brenda një dite. Një dite!”, ka thënë ai.Ukrainasit kanë frikë se çdo trysni për marrëveshje të shpejtë paqeje, do t’i shkonte në favor Rusisë, duke e lënë rreth një të pestën e vendit të tyre nën kontrollin e Moskës dhe duke i mundësuar Putinit që ta shfrytëzonte ndërprerjen e armiqësive për t’i rigrumbulluar forcat e tij për një sulm të ardhshëm.

Fjalë dhe veprime
Në çdo rast, ajo që do të bëjë fituesi kur ta marrë pushtetin, është e paqartë dhe ka një sërë faktorësh që mund të ndikojnë në veprimet e presidentit të ardhshëm.Qeveria e Zelenskyt ka qenë shumë e frustruar me administratën Biden, duke thënë se ndihma ushtarake e SHBA-së po i arrin shumë ngadalë dhe me shumë kufizime.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, Biden nuk e ka lejuar Ukrainën t’i përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi të SHBA-së për të goditur thellë brenda Rusisë.Ukraina ka ende mungesë të mbrojtjes ajrore dhe municionit dhe kjo bën që Rusia të vazhdojë t’i godasë qytetet dhe infrastrukturën e saj kritike nga qielli, si dhe të avancojë më thellë në rajonin e Donjeckut.

Harris nuk e ka bërë të qartë nëse do të ishte më e rreptë me dërgesat e ndihmave dhe nëse do t’i hiqte kufizimet – gjë e cila është një prej pikave të “Planit të Fitores”, të cilin Zelensky ua ka paraqitur udhëheqësve perëndimorë.Ajo nuk e ka komentuar as pikën tjetër të rëndësishme në këtë plan – ftesën e shpejtë për Ukrainën për t’u bashkuar me NATO-n.

Një faktor që do të ndikonte në mënyrën sesi presidenca Trump do të sillej me Ukrainën dhe pushtimin rus, do të ishte përbërja e kabinetit të tij.Fushata e Trumpit thuhet se është duke shqyrtuar ish-sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, për postin e sekretarit të Mbrojtjes dhe ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare, Robert O’Brien, për sekretar të Shtetit.

Të dy e kanë kritikuar administratën Biden për kufizimin e përdorimit të armëve amerikane dhe kanë kërkuar më shumë sanksione ndaj Rusisë.Në një artikull të botuar në gazetën The Wall Street Journal në korrik, Pompeo ka bërë thirrje për krijimin e një programi të huadhënies – prej 500 miliardë dollarësh – për ta ndihmuar Ukrainën që të mbrohet.

Ai, gjithashtu, ka kërkuar që Ukrainës t’i ofrohet anëtarësimi në NATO – për të cilën gjë O’Brien ka thënë këtë javë se “është shumë provokuese në këtë pikë”.“Viti i diplomacisë”
Një faktor tjetër është Kongresi. Ndërkohë që presidentët kanë ndikim më të madh në politikën e jashtme, legjislatura mund ta detyrojë Shtëpinë e Bardhë që ta rregullojë qëndrimin e saj për çështjen e mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën.

Kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit mund të ndryshojë në zgjedhjet e 5 nëntorit – demokratët mund të fitojnë shumicën e vendeve në Dhomën e Ulët dhe republikanët në Dhomën e Sipërme.Kjo do të ishte një situatë më e favorshme për Ukrainën, pasi një Senat i kontrolluar nga republikanët ka të ngjarë ta mbështesë ndihmën për Ukrainën, ka thënë muajin e kaluar për Radion Evropa e Lirë Kurt Volker, i dërguar i posaçëm i Trumpit për negociatat për Ukrainën në vitet 2017-2019.

Ai ka thënë se një program i huadhënies, do të ishte më lehtë të kalonte përmes Kongresit.“Të arrish mbështetje për shpenzimin e parave të taksapaguesve amerikanë për Ukrainën, është gjithnjë e më e vështirë, por t’i lejosh [ukrainasit] të marrin hua aq sa kanë nevojë për të blerë armë amerikane dhe për të luftuar luftën, nuk duket të jetë e diskutueshme. Mendoj se do të kishte mbështetje masive dypartiake”, ka thënë Volker.

Por, Charles Kupchan, analist në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë ta shtyjnë Ukrainën drejt bisedimeve, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet – pjesërisht për faktin se lufta është duke i ngarkuar burimet perëndimore.“Do të prisja që viti 2025 të ishte vit i diplomacisë. Unë nuk besoj se kjo ku jemi sot, është e qëndrueshme”, thotë Kupchan.

Sipas tij, ndërprerja e ndihmës për Ukrainën nuk është mënyrë për t’i çuar dy palët në tryezën e bisedimeve.“Kjo është një ftesë për Putinin që të vazhdojë me të tijën”, përfundon Kupchan./REL

Powered by WordPress