Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > A do t’ia huqin sërish sondazhet – e vërteta që mund ta tronditë Amerikën

A do t’ia huqin sërish sondazhet – e vërteta që mund ta tronditë Amerikën

Zgjedhjet presidenciale të viteve 2016 dhe 2020 – në të cilat shumë sondazhe të respektuara ishin jashtëzakonisht të pasakta – lanë pas pyetje nëse sondazhet po ‘gënjejnë’ në mënyrë të pariparueshme apo ende janë një barometër i gjendjes së kombit, që mund të përmirësohej me disa rregullime metodologjike.

Tetë vjet më parë, sondazhet kombëtare parashikonin një fitore të lehtë për Hillary Clintonin ndaj Donald Trumpit, deri në Ditën e Zgjedhjeve. Sipas një analize të Pew, gati nëntë nga dhjetë sondazhet mbivlerësuan mbështetjen për demokraten ndër votuesit, shkruan newsweek.

Në vitin 2020, sondazhet tregonin se presidenti amerikan, Joe Biden kishte një epërsi të fortë ndaj atëherë presidentit Trump. Pak para zgjedhjeve, Biden kryesonte me 8.4 pikë në mesataren e FiveThirtyEight dhe me 7.2 pikë në mesataren e RealClearPolitics. Megjithatë, ai fitoi votën popullore me më pak se 4.5 pikë – mjaftueshëm për një fitore në Kolegjin Zgjedhor.

Nëse sondazhet janë përsëri me një gabim të ngjashëm këtë vit, epërsia e ngushtë e zëvendëspresidentes, Kamala Harris në shumë mesatare mund të nënkuptojë se Trumpi është në fakt përpara dhe drejt një fitoreje të thellë elektorale.

Por, kjo është një “nëse” e madhe. Shumë sondazhe të respektuara pretendojnë se kanë rregulluar gabimet e tyre dhe tani janë më të afta për të llogaritur mbështetjen për Trumpin, si në nivel kombëtar ashtu edhe në shtetet kyçe.

Sa i përket arsyes pse sondazhet e kaluara kanë qenë kaq të gabuara, disa besojnë se mbështetësit e Trumpit nuk marrin pjesë në sondazhe për shkak të mosbesimit ndaj institucioneve si mediat kryesore dhe organizatat e sondazheve.

Scott Keeter, studiues i lartë në Qendrën Kërkimore Pew, pohoi se ky mosbesim mund të shpjegojë pse mbështetja për republikanin shpesh nuk përfaqësohet saktë në rezultatet e sondazheve.

“Mbështetësit e Trumpit mund të kenë më pak besim në institucionet që sponsorizojnë këto sondazhe. Nëse ata zgjedhin të mos marrin pjesë për shkak të këtij mosbesimi, mbështetja e tyre nuk kapet saktë”, tha Keeter.

Ai sugjeroi se kjo mungesë e pjesëmarrjes kontribuoi në gabimet e sondazheve në vitet 2016 dhe 2020, ndërsa ato të zgjedhjeve afatmesme në vitin 2022 treguan saktësi më të madhe. Dallimi është se Trump nuk po kandidonte në vitin 2022.

“Zgjedhjet presidenciale tërheqin një bazë më të larmishme votuesish, çka shton variabilitetin. Prandaj nuk mund të supozojmë që saktësia e parë në vitin 2022 do të qëndrojë për vitin 2024, veçanërisht me Trump në fletën e votimit”, pohoi Keeter.

Pavarësisht performancës së përmirësuar të sondazheve afatmesme, shumë amerikanë mbeten skeptikë se sondazhet mund të llogaritin me saktësi preferencat politike të publikut, veçanërisht në një zgjedhje që ekspertët e përshkruajnë si “më e ngushta në vitet e fundit”.

Si përgjigje ndaj gabimeve të mëparshme, organizuesit e sondazheve kanë rafinuar metodat e tyre, duke përdorur gjithnjë e më shumë sondazhe në internet dhe mesazhe me tekst. Sondazhet kanë evoluar ndjeshëm që nga viti 2016, kur shumica e tyre kryheshin ende përmes linjave fikse, edhe pse në atë kohë më pak se gjysma e familjeve në SHBA kishin një linjë fikse funksionale. Në fakt, deri në vitin 2022, 61 për qind e organizatave të sondazheve në SHBA që kryenin sondazhe kombëtare në vitin 2016 kishin kaluar në metoda të reja. Ky evoluim po vazhdon në sondazhe.

Metodat e reja Berwood A. Yost, drejtori i Qendrës për Kërkime të Opinioneve në Kolegjin Franklin & Marshall, shpjegoi se sot sondazhet moderne përfshijnë një përzierje të sondazheve online, mesazheve me tekst dhe teknika të tjera për të arritur një audiencë më të gjerë, me metodologji të përshtatura për të pasqyruar ndryshimet në normat e komunikimit.

“Sondazhet janë përshtatur gjatë tetë viteve të fundit, duke lënë mënjanë ato telefonike dhe duke përfshirë mesazhe me tekst, postë dhe sondazhe online për të arritur ata që përndryshe mund të shmangin sondazhet. Por kjo ende mbetet eksperimentale – këto ndryshime synojnë të kapin më mirë zërat që përndryshe mund të mbeten të padëgjuar”, pohoi ai.

Gjatë dy dekadave të fundit, rritja e përdorimit të celularëve, mesazheve me tekst dhe platformave online ka transformuar kërkimet në sondazhe. Metodat tradicionale, si sondazhet telefonike me operatorë të drejtpërdrejtë, janë pothuajse të vjetruara, pasi më pak se një e katërta e amerikanëve përdorin ende linja fikse, sipas të dhënave nga CDC.

Përdorimi i telefonave celularë, megjithatë, sjell një sfidë të re: amerikanët po shmangin gjithnjë e më shumë telefonatat nga numrat e panjohur.

“Tani që identifikuesi i thirrësit zbulon se kush po telefonon, më pak njerëz përgjigjen ndaj numrave të panjohur, dhe edhe më pak janë të gatshëm të diskutojnë pikëpamjet personale me të huaj”, tha Spencer Kimball, drejtor i Sondazheve të Kolegjit Emerson dhe profesor i asociuar për Komunikimin Politik në Kolegjin Emerson.

Ndryshe nga organizuesit tradicionalë të sondazheve, Kimball tha se Emerson përdor një përzierje teknikash, përfshirë sondazhe përmes mesazheve që drejtojnë në internet, përgjigje të drejtpërdrejta zanore për linjat fikse, dërgesa me email dhe panele të regjistruara me dëshirë. Ky kombinim ndihmon në arritjen e një audience më përfaqësuese, veçanërisht votuesve më të rinj. Disa organizues sondazhesh kanë adoptuar gjithashtu metoda me postë, të njohura si kampion i bazuar në adresë.

Pew ka zbuluar se rregullimi i kampionit të sondazhit në bazë të faktorëve të shumtë mund të përmirësojë saktësinë. Një rregull e re u përdor – vota e kaluar – gjatë pyetjes së votuesve se për kë kanë votua në vitin 2020. Disa organizues të sondazheve besojnë se ky rregullim ndihmon në shmangien e nënvlerësimit të mbështetjes për Trumpin, ndërsa të tjerë shqetësohen se mund të sjellë gabime nëse njerëzit e kujtojnë gabimisht votën e kaluar.

Organizata të njohura të sondazheve si CNN/SSRS, The Washington Post dhe Universiteti Monmouth po përdorin këtë teknikë.

“Nuk e dimë nëse sondazhet e sotme janë më të sakta se katër vite më parë. Në vitet 2016 dhe 2020, u shfaqën shumë votues të rinj të Trump, të cilët ishin sfidues për sondazhistët për shkak të mungesës së historisë së tyre të votimit. Organizuesit e sondazheve po përpiqen të përmirësohen, por vetëm pas zgjedhjeve do të dimë nëse këto rregullime funksionuan”, tha Keeter.

Pavarësisht këtyre metodave të reja, nuk është e sigurt nëse sondazhet do të kapin plotësisht preferencat e votuesve, duke pasur parasysh dinamikën e paparashikueshme të këtij cikli presidencial.

“Pyetja nëse sondazhet nuk arrijnë të kapin disa votues mbetet pa përgjigje”, tha Yost, duke shtuar se në vitin 2016, vlerësimet kombëtare për mbështetjen e Trumpit ishin mjaft të sakta. Nënvlerësimi ishte më i madh në vitin 2020 për shkak të faktorëve unikë si pandemia.

Megjithatë, Yost është optimist se të dhënat e reja do të rafinojnë metodat e sondazheve, gjë që beson se do të kapë më mirë votuesit që u humbën në zgjedhjet e mëparshme.

“Kemi bërë ndryshime, siç është menaxhimi ndryshe i përgjigjeve ‘nuk di’ në pyetjet për zgjedhjen e votës”, tha ai dhe shtoi se “duke mos nxitur përgjigjet ‘nuk di’, synojmë vlerësime më të sakta, siç e pamë në vitin 2022. Gjithashtu, kemi zgjeruar qasjen përmes mesazheve me tekst për të rekrutuar pjesëmarrës”

Ndërsa organizuesit e sondazheve kanë bërë ndryshime me shpresën e përmirësimit të saktësisë në zgjedhjet e vitit 2024, ata po përballen gjithashtu me një rënie të besimit tek mediat.

Yost po kërkon më shumë transparencë në paraqitjen e rezultateve dhe shpjegime të qarta mbi metodologjitë e sondazheve për të ndihmuar publikun të kuptojë se si funksionojnë sondazhet kombëtare dhe kufizimet e tyre.

“Kjo është një nga ndryshimet më të mëdha që kemi bërë. Jemi gjithashtu të vetëdijshëm për kufizimet e sondazheve, veçanërisht në gara të ngushta. Asnjë sondazh me 700-1000 pjesëmarrës nuk mund të përcaktojë me saktësi gjendjen e një gare brenda një ose dy pikëve”, përfundoi Yost.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane pritet të mbahen më 5 nëntor (e martë). /Telegrafi/

Powered by WordPress