Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Rusia gjobit Google 20,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000 dollarë

Rusia gjobit Google 20,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000 dollarë

Rusia e ka gjobitur kompaninë Google me një shumë parashë që e ka vlerën më të madhe sesa i gjithë prodhimi bruto i botës, për shkak të kufizimeve të vëna ndaj kanaleve të propagandës ruse në YouTube.

Gazeta ruse e biznesit, RBC njoftoi këtë javë se 17 kanale televizive ruse kishin ngritur padi në gjykatat e këtij vendi, të cilat vunë gjoba komplekse që kapin një shumë të pakuptueshme me 34 zero.

Për krahasim, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, totali i prodhimit bruto i të gjithë botës vlerësohet të jetë 110 trilion dollarë. Ndërkaq, kompania ombrellë e firmës Google, Alphabet, ka një vlerë tregu prej rreth 2 trilion dollarësh.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e pranoi të enjten para gazetarëve se ai “as që mund ta shqiptojë saktë këtë shifër”, ndërsa tha se gjoba ishte “e mbushur me simbolikë”.

“Google nuk duhet të kufizojë aktivitetet e transmetuesve tanë, dhe Google po e bën këtë,” tha ai.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, Tass njoftoi këtë javë se gjykata ruse e kishte urdhëruar më parë firmën Google që t’i zhbllokonte kanalet në YouTube ose do të përballej me shtimin e gjobave. Gjoba ka arritur shifra marramendëse sepse dyfishohet çdo javë.

Në muajin gusht, shërbimi i rrjetit YouTube në Rusi pësoi një avari masive. YouTube konsiderohet si një nga rrjetet e pakta të mbetura ku audiencat në Rusi mund të ndjekin lajme të pavarura. Moska i bllokon faqet e lajmeve të pavarura në internet, ndërsa liria e shtypit është zhdukur. Google nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar./VOA/

Powered by WordPress