Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se ky hap është një dëshmi e qartë e përkushtimit të institucioneve të Kosovës për të fuqizuar kapacitetet ushtarake të vendit.
Ai përmendi rëndësinë e Aeroportit të Dumoshit si një pikë strategjike për operacionet e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vënë në dukje se ky zhvillim do të ndihmojë në ndërtimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët.
“Sot, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mori në menaxhim pronat e Aeroportit të Dumoshit, si pika strategjike për rritjen e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.
Vendosja e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në pronat e Aeroportit të Dumoshit në Podujevë është një zhvillim domethënës për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ky hap forcon praninë e FSK-së në regjionin e Llapit dhe Gollakut, duke ofruar siguri shtesë për banorët e kësaj ane si dhe për të ofruar mbështetje më të mirë dhe më të shpejtë për reagime emergjente dhe për operacione në rast të emergjencave civile.
Ky vendim tregon angazhimin e institucioneve të Kosovës për të fuqizuar kapacitetet ushtarake dhe për të kontribuar në një mjedis më të sigurtë”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.