“Plani për anëtarësim në fund të vitit 2027 është ambicioz, por mund të arrihet nëse punoni. Shqipëria mund t’ia dalë t’i çelë të gjithë kapitujt deri në fund të 2025-s”, tha Gonzato teksa i dorëzoi sot kryeministrit Edi Rama progres-raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024.
Megjithatë, ai tha se klima politike në vend po pengon ecurinë në drejtimin e duhur.
“Sa i përket kriterit politik, raporti vlerëson funksionin e institucioneve si pjesërisht të kënaqshme, kryesisht për shkak të polaritetit politik”, tha Gonzato.
Në anën tjetër, Kryeministri Rama vlerësoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë si “dokumentin më të mirë ndërkombëtar për Shqipërinë”, që sipas tij pasqyron realisht ku ndodhet vendi ynë.
“Është dokumenti më i plotë, më i detajuar dhe më i besueshëm ndërkombëtar që Shqipëria merr dhe mbi të cilin ne referohemi, fjali për fjali, në kuptimin e plotë të fjalës. Sepse është i vetmi raport ndërkombëtar që bazohet vetëm në fakte, jo në perceptime, jo në sondazhe dhe që i referohet fakteve nën dritën e parimeve dhe standardeve të funksionimit të institucioneve ndërkombëtare dhe shteteve anëtare”, ka thënë Rama.
“Më vjen shumë mirë që marrim raportin më pozitiv të të gjithë këtyre viteve dhe normalisht i tillë, sepse e tillë është dhe ecuria e vendit dhe konferenca e dytë ndërqeveritare afirmoi këtë”, shtoi Rama trnasmeton Top Chanel përcjell Dukagjini.
Puna e shkëlqyer e SPAK ka dhënë rezultate
Raport thekson nevojën për të miratuar hartën gjyqësore. Korrupsioni shqetësim serioz.
Puna e shkëlqyer nga SPAK ka dhënë rezultate konkrete. Është bërë progres në luftën kundër korrupsionit falë SPAK, hetime financiare dhe forcimin e luftës kundër pastrimit të parave.