Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë: Ushtarakët në lirim mund të rikthehen në Forcat e Armatosura

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë: Ushtarakët në lirim mund të rikthehen në Forcat e Armatosura

Qeveria e Shqipërisë i ka hapur rrugën krijimit të forcës së rezervistëve, pasi ka miratuar projektligjin që rregullon funksionimin dhe organizimin e një force të tillë.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në një intervistë për mediet u shpreh se kjo forcë është e integruar me Forcat aktive të Armatosura.

Sipas ministrit Vengu, shumica e vendeve të NATO e kanë një strukturë të tillë, “e cila është e mirëorganizuar, e pajisur, e trajnuar, e stërvitur dhe e paguar”.

“Ligji jep disa mundësi angazhimi, qoftë për personelin ushtarak që është liruar në vitet e kaluara dhe që shprehin dëshirën për t’u rikthyer, qoftë për ushtarakët që dalin. Po ilustroj të gjitha kategoritë: Një kategori janë ushtarakët në lirim që janë liruar para pak vitesh ose para pak muajsh të cilëve u lind e drejta që të riaktivizohen në Forcat e Armatosura me shprehjen e një dëshire të tyre”, tha Vengu.

“Kategoria e dytë janë ushtarakët që janë larguar nga Forcat e Armatosura jo për dëshirë të tyre por se kanë kaluar afatet e gradimit. Tashmë kanë instrumentin që të kthehen në mënyrë aktive. Kemi në Forcat e Armatosura 400 ish-personel që u lind e drejta që të na kërkojnë që të aktivizohen si rezervistë. Mundësia tjetër përbëhet nga individë që kanë punuar gjithë jetën civilë qoftë në shtet, qoftë në privat dhe shprehin vullnetin e tyre për të pasur një kontribut si rezervist”, sqaroi ministri.

Ministri u shpreh se sot numri i forcave rezervë është zero, por me hyrjen në fuqi të ligjit shpresohet që të arrihet në 2100 trupa deri në vitin 2030.

“Përmes këtij ligji ne konsiderojmë ushtarakët tanë si kapacitet kombëtar dhe është e nevojshëm të mos flasim më për ish-ushtarakë, por ushtarakë rezervë, në lirim dhe aktiv. Realisht janë kapacitet kombëtar”, tha ai.

Duke u ndalur tek kriteret që parashikon ligji, ministri Vengu sqaroi se duhet që të bëhet dhe një verifikim i pastërtisë së figurës.

“Ka një kriter kur vjen puna te mosha. Kemi për ushtarakët aktivë të thjeshtë për të hyrë në forcë rezerviste maksimalja është moshë 50 vjeç, për oficerët është 55 vjeç dhe për gradat madhore 60 vjeç. Edhe këto kritere duhen pasur parasysh para se ish-ushtarakët të bëjnë kërkesën për rikthim në forcën rezervë”, tha Vengu./Ora News/

Powered by WordPress