Shkruan: Afrim Kasolli
Nëse i dëgjojmë me vëmendje vlerësimet publike të partive kundërshtare të Vetëvendosjes, kjo e fundit përshkruhet si në formacion populsit me synime anti-kushtetuese dhe kërcënim për demokracinë tonë të brishtë, si dhe interesat shtetërore të Kosovës. Se veprimet e këtij pushteti i kanë rrezikuar raportet me aleatet dhe e kanë përkeqësuar fatin ndërkombëtar të shtetit, nga të cilat kanë përfituar vetëm vendet armiqësore. Po ashtu, modeli qeverisës përshkruhet i ngjashëm me tiparet e një regjimi autokratik etj.
Pra thuajse kjo gjuhë është identike me atë që bie e fjala kemi pasur rastin ta dëgjojmë nga përfaqësuesit e partive të esbalishmentit në Gjermani për partinë e ekstremit të djathtë, Alternativën për Gjermaninë, apo edhe për Tubimin Kombëtar të Marine Le Penit në Francë etj.
Mirëpo, ekziston një dallim i madh në mënyrën se si sillen këto parti tradicionale politike në demokracitë perëndimore ndaj kërcënimit që pozojnë forcat populiste për këtë sistem politik edhe partive “tradicionale” në Kosovë në raport me Vetëvendosjen. Pra deri sa të parat angazhohen dhe mobilizohen për ta pamundësuar ardhjen në pushtet të atyre që konsiderohen si armike të shtetit të tyre, partitë e “estabilishmentit” politik në Kosovë kanë dëshmuar se nuk kanë problem të bashkëpunojnë e të bëjnë aleanca taktike me Vetëvendosjen për interesa te tyre momentale “pragmatike”. Për më tepër, pa këtë dobësi të të parave edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta kishte asnjë shans të bëhej kjo forcë masive publike që është sot. Pra janë këto veprime që ndikuan në pranimin publik të Vetëvendosjes si parti qeverisëse. Si dhe krijuan klimën që nga një formacion që dikur shihej si ekstrem të konsiderohet si i domosdoshëm si dhe nga diçka që ngjallte frikë në forcë shpresëdhënëse.
Ky trend ka filluar që nga viti 2013 për zgjedhjet lokale nëpërmjet “aleancës së heshtur” ndërmjet PDK-së dhe Vetëvendosjes për t’i ndihmuar kësaj të fundit për t’i fituar zgjedhjet në Prishtinë. Ka vazhduar nëpërmjet VLAN-it për t’ia rrëmbyer fitoren elektorale në zgjedhjet nacionale të vitit 2014 PDK-së dhe është forcuar nëpërmjet bashkëpunimit të Albin Kurtit, Ramush Haredinjat dhe Fatmir Limajt gjatë viteve 2015-2017. Kjo frymë e bashkëpunimit ishte aplikuar edhe në nivelet lokale në zgjedhjet fundit, ku PDK nuk kishte nguruar për të bashkë qeverisur në qytete si Gjilani, Podujeva etj, pavërisht se këto koalicione u ndërprenë. Ndërkohë, sa i përket shembullit të sipercekur në demokracitë perëndimore, vlen të ceket vetëm rasti i fundit, ku me Alternativën për Gjermani, AfD kanë refuzuar të bashkëpunojnë të gjitha partitë tjera. Pra kjo e fundit edhe pse korri rezultate impresive zgjedhore në landet Tyringi, Saksoni dhe Brandenburg, megjithatë ajo mbeti jashtë pushtetit në këto vende.
Për më shumë, sikur partitë opozitare ta besonin me të vërtetë në atë që e pohojnë kundër Vetëvendosjes, do ta farkëtonin një koalicion të përbashkët për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Sepse praktika ka dëshmuar se si parti si Vetëvendosja ka gjasa më të mëdha që të munden vetëm nëse opozita e farkëton një koalicion të përbashkët rreth një lideri “karizmatik”. Siç ndodhi rasti në Poloni. Ndërkohë, te ne jo vetëm që partitë opozitare nuk kanë qenë në gjendje ta tajkalojnë vetveten, akt ky që do të merrej si dëshmi e përkushtimit të tyre për ta zbatuar atë që e deklarojnë, por secila prej tyre kanë nguruar të transmetojnë mesazh të prerë se nuk do të qeverisnin me të. Njëra arsyetohet se në këtë mënyrë do të ofendohej elektorati shqiptar i kësaj partie e tjetra se nuk përjashtohet ky bashkëpunim.
A tregojnë këto luhatje të partive opozitare se ato vazhdojnë që të jenë peng i të njëjtës dëshirës fatale që të nxitur nga kalkulimet për përftime taktike afatshkurtra e përfituan disfatën e tyre afatgjatë strategjike? /TV Arbëria