Aleks Gërba, shtetas i Shqipërisë që ka qenë i arrestuari i vetëm për në rastin ku u kapën mbi një 1 ton marihuanë në Pejë, dyshohet se i ka dhënë fund jetës së tij në qeli në qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Derisa rrethanat e rastit po hetohen, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve po thonë se përgjegjësia për raste të tilla i kalon edhe institucionit korrektues
Personi i vetëm që ra në dorë të Policisë ditën kur u gjetën mbi një tonë drogë në fshatra të Klinës, po dyshohet se i dha fund jetës së tij brenda Qendrës së Paraburgimit të Prishtinës.
Nga Shërbimi Korrekues i Kosovës thanë se Aleks Gërba në QKUK u nis me shenja jete por pastaj nuk arriti të mbijetoj.
SHKK-ja po ashtu thanë se Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore të nevojshme, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.
E përfaqësuesi juridik i tashmë të ndjerit Gërba, Naim Rudari po thotë se situata është delikate të i drejtohet gishti dikujt.
“Është problematike tani për tani ta shënjestrojmë dikë si përgjegjës për veprim apo mosveprim. Ne kemi pasur takim me familjarët e Aleksit me Prokurorin e cështjes i cili tani për tani na ka njoftuar se nuk ka ndonjë dyshim për shtytje apo për një faktor tjetër të jashtëm dhe pritët që tash Prokuroria të mbledhë të gjitha detajet, kamerat brenda Qendrës korrektuese e deklaratat nga gjithë ata që kanë parë këtë ngjarje”, ka deklaruar Rudari.
Sipas një raporti që i është përcjellur Këshillit për Mbrojtjën dhe Lirive të njeriut, Gërba nuk kishte pasur probleme shëndetësore kur ishte kontrolluar.
Gjithsesi, sipas këtij Këshilli, çdo veprim brenda këtyre hapsirave bie në përgjegjësinë e tyre.
“Fatkeqësisht kanë filluar që të shtohen këto raste dhe absolutisht të gjithë ata persona të cilët ndodhën në institucione korrektuese janë nën përgjegjësinë institucionale, përkatësisht janë përgjegjësi e shtetit prandaj institucionet do të duhej të ishin më të përgjegjëshme në kuptimin e ofrimit të të gjitha kushteve”, ka deklaruar Valentina Demolli – KMDLNJ.
Televizioni gjatë ditës ka tentuar të marrë një koment në lidhje me këtë rast edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës, që po heton rastin ku u kap sasia rekorde e marihuanës, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.
Përveç Gerbit, në kërkim për këtë rast, në cilësinë e të dyshuarve janë edhe disa persona të tjerë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka qenë cak i kritikave këtë vit, shkaku i disa rasteve që ndodhën.
Mes tyre, më së shumti bujë bëri ai i ish të burgosurit Faton Hajrizi, i cili pasi u arratis nga burgu i Smrekonices, përfundoi si i vrarë në Serbi nga policia e këtij shteti.