Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > I vëllai iu vra sot në atentat, kush është “i forti” i Shkodrës?

I vëllai iu vra sot në atentat, kush është “i forti” i Shkodrës?

Masakra që tronditi Shkodrën sërish sot (30 tetor 2024) ka nxjerrë në skenë sërish një emër të njohur të botës së krimit. Bëhet fjalë për familjen Lici. Hamza Lici mbeti i vrarë në atentatin e sotëm në rrethrrotullimin e ish- “5 Heronjve”, në zonën e Dobraçit, raporton A2.

Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i cili u arrestua në 15 shkurt të këtij viti në Turqi, por gati 1 muaj më vonë u lirua nga qelia.

Ibrahim Lici kërkohet nga drejtësia pas dyshimeve se është i përfshirë në vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër, ngjarje për të cilën ka mohuar çdo akuzë, shkruan A2.

Përplasja mes familjes së tij dhe familje Bajri ekspozohet në dosjen “Metamorfoza” ku sipas komunikimeve të Sky ECC, Behar Bajri kishte thurur plan për ekzekutimin e Ibrahim Licit në varrimin e Indrit Rrajës, përcjell A2.

Në një nga komunikimet e aplikacionit Sky, që ndodhen tashmë në duart e SPAK, Bajri flet dhe me biznesmenin Pëllumb Gjoka, ndërsa i tregon këtij të fundit që do ta vrasë Ibrahim Licin dhe Dorian Dulin dhe po kërkon njerëz për ta kryer vrasjen.

Ibrahim Lici është djali i ish-këshilltarit të Bashkisë së Shkodrës, Mustafa Lici. Më herët ai ka qenë edhe subjekt i strukturës, Operacioni Forca e Ligjit, ndërsa rezulton në kërkim për disa vrasje të bujshme, transmeton A2.

Sipas policisë, Lici është autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.

Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij me 30 mars 2019, është babai i Astmer Bilali, ish kampionit të boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër, raporton A2.

Astriti ishte biznesmen i njohur në Shkodër dhe në qytet ai identifikohej për pasionin e tij për kuajt së bashku me vëllain Brahimin, i cili ishte kryetar i shoqatës “2 prilli”.

Endri Mustafa ka qenë shok me Astmer Bilalin, ndërsa emrat e tyre dalin bashkë në disa ngjarje kriminale. Mustafa është dënuar më parë për plagosje, ndërsa në vitin 2016 u arrestua pasi akuzohej se në bashkëpunim me disa të tjerë kanë grabitur një person duke i marrë sendet personale dhe paratë. Po ashtu u shpall në kërkim edhe Asmer Bilali raporton A2CNN.

Powered by WordPress