Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Vlerësohet se s’mund të implementohet vendimi i Serbisë për ndjekjen e veprave penale që kryhen në Kosovë

Vlerësohet se s’mund të implementohet vendimi i Serbisë për ndjekjen e veprave penale që kryhen në Kosovë

Bashkimi Evropian ka kundërshtuar projektligjin e Serbisë që ka të bëjë me organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në Kosovë. Derisa vlerësohet se ky vendim është i paimplementueshëm dhe shkelje e vijave të kuqe nga ana e Serbisë.

Që nga e marta, Serbia ka miratuar një ligj të ri ndaj shtetit të Kosovës.

Ky projektligj siç e quajti shteti serb ka të bëjë me organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

Ky vendim ngjalli reagime nga faktori ndërkombëtar, ku Bashkimi Evropian kanë thënë se Serbia ka shkelur obligimet e dala nga dialogu.

“Qysh prej Marrëveshjes së Brukselin nga vitit 2013, Kosova dhe Serbia kanë obligime të qarta sa i përket juridiksionit përkatës. Draftligji i Qeverisë së Serbisë përmes së cilit e deklaron Kosovën si një zonë të mbrojtjes së veçantë, si dhe për juridiksionin që autoriteteve gjyqësore të merren me veprat kriminale në Kosovë, në mënyrën si janë publikuar, paraqesin shkelje të qarta nga ana e Serbisë të obligimeve nga dialogu dhe shkojnë në kundërshtim me përkushtimin e përsëritur rishtazi në kuadër të dialogut. BE ia rikujton Serbisë se e ka obligim ndaj të gjitha Marrëveshjeve të dialogut si pjesë përbërëse e integrimeve në BE dhe i bën thirrje Serbisë që të rishqyrtojë këtë draftligj në mënyrë përkatëse”, thuhet nga BE-ja.

E nga Instituti i Kosovës për Drejtësi po vlerësojnë se me këtë vendim shteti serb po tenton të manipulojë opinionin publik serb për kinse mbrojtjen e serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Nuk është asgjë tjetër veçse veprim politik që ka këto synime për shkak se një ligj i tillë është po thuajse i paimplementueshëm… Mënyra e vetme për të ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës në këtë rast është nëse të njëjtit udhëtojnë përmes Serbisë për shkak se nuk ka ndonjë shtet në BE apo një shtet demokratik që do ta implementonte një ligj të tillë të miratuar nga Serbia siç është në rastin konkret”, tha Gëzim Shala nga IKD-ja.

Derisa ish-diplomati kosovar në Itali, thotë se kjo është një shkelje e vijave të kuqe të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Pra është blerje kohe, është një provokim i radhës një prekje e pulsit nga ana e komunitetit ndërkombëtar e që si duket kësaj radhe nuk do të mund të kalojë. Pra është shkelje e vijave të kuqe ku kërkohet që Serbia të vazhdojë dialogun ashtu siç është edhe Kosova dhe implementimin e marrëveshjeve të vitit 2023”, tha ish-diplomati, Albert Prenkaj.

Ndaj vendimit ka reaguar të martën edhe kryeministri Kurti, ku e ka quajtur veprim armiqësor e agresiv ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

Powered by WordPress