Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Beteja politike për rritjen e pagave

Beteja politike për rritjen e pagave

Shkruan: Afrim Kasolli

Nuk është hera e parë që pushteti aktual bënë propozime politike në kundërshtim me ligjin apo rendin kushtetuese. I tillë është edhe vendimi i djeshëm për rritje të pagave në sektorin publik. Avokati Ardian Bajrkatari, në një prononcim për TV. Arbëria, ka pohuar se tek “dispozitat kalimtare, përkatësisht në neni 42, paragrafi 1 i Ligjit të pagave e ka përcaktuar se me hyrjen në fuqi të këtij ligji ndalohet çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave.” Pra shihet qartë se nuk mund te ketë rritje të pagave në këtë sektor pa ndryshim të ligjit në fuqi.

Në këtë kontekst, beteja për këtë temë vetëm sa ka filluar. Sepse nëse Vetëvendosje mëton ta mbajë premtimin për rritje të pagave ajo duhet që ta dërgojë në Kuvend ligjin në fjalë, pas rekomandimeve për ndryshim dhe plotësim të koeficienteve nga ekzekutivi. Në anën tjetër ky veprim do të jetë sfidë edhe për opozitën. Ajo ose duhet të dalë kundër këtij ndryshimi për t’i qëndruar besnike vlerësimeve të saj se vendimi i djeshëm nuk është asgjë tjetër pos përpjekje e ulët për të “blerje votash” në momentet e fundit, ose të insistojë në amandamentimin e ligjit sipas propozimeve të saj për rritje të pagave. Pra, duke filluar nga dje, asaj nuk i mjafton tash e tutje vetëm konstatimi se vendimi i djeshëm është bërë në kundërshtim me ligjin. Por i duhet edhe të pozicionohet politikisht, kurdo që vjen dita në Kuvendin e Kosovës, se si do të ballafaqohet me pasojat e këtij kundërshtimi juridik.

Në rastin e parë opozitës do t’i duhet të mbrohet nga pretendimet e pushtetit se është kundër rritjes së pagave për qytetarët e Kosovës. Se me qëllim që ta pengonte punën e pushtetit është në gjendje të dalë edhe kundër përfitimeve që mund të ketë shoqëria. Pra do të përdorej e njëjta logjikë sikurse me disa projektligje të Qeverisë që opozita i ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese, e të cilat nuk e kanë kaluar testin e kësaj të fundit. Siç dihet, këto humbje juridike, eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë tentuar t’i propagandojnë si konspiracion kundër reformave në drejtësi, për çka ky pushtet është mandatuar nga populli. Mirëpo, nëse opozita do të pajtohej për ndryshim të këtij ligji sipas kushteve dhe kërkesave të saj, për ta shmangur presionin e sipër cekur, përsëri ajo ka gjasa t’i sakrifikonte premtimet e saj elektorale.

Tashmë menysë së temave elektorale po i shtohet edhe lufta se kush është për e kush është kundër rritjes së pagave. Ai që e ofron narracionin më bindës, (si çdo herë gjë tjetër në politikë që është interpretim), i ka gjasat të ketë sukses më shumë në këtë betejë të sapo filluar. /TV Arbëria

Powered by WordPress