Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Raporti i KE i kushton kapitull të veçantë situatës në veri: Sulmi i Banjskës përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit

Raporti i KE i kushton kapitull të veçantë situatës në veri: Sulmi i Banjskës përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit

Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

Në raportin vjetor rikujtohen palët se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obliguese dhe se formalitetet rreth miratimit të saj nuk duhet të pengojnë zbatimin.

Komisioni Evropian këtë pasdite do të publikoj raportet vjetore të secilit shtet që bën pjesë në procesin e zgjerimit. Bëhet fjalë për dokumentin më të rëndësishëm për vendet që mëtojnë anëtarësimin në BE, ku pasqyrohen të arriturat, por edhe mungesa e tyre, në reformat kyçe në procesin e integrimeve evropiane.

Normalizimi i marrëdhënieve, konsiderohet kusht thelbësor në rrugën evropiane si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Të dyja palët rikujtohen se në mungesë të progresit, të dyja palët rrezikojnë të humbin raste të rëndësishme.

Kapitull i veçantë i kushtohet situatës në veri, ku do cilësohet se tensionet gjatë këtij viti mbetën të larta.

Kosova kritikohet se ka kryer aktivitete në veri të cilat, cilësohen se janë në kundërshtim me detyrimet e saj në kuadër të dialogut.

Serbia nga ana tjetër kritikohet për hapat të pamjaftueshëm të Serbisë për të siguruar përgjegjësi për sulmet në Banjskë. Kjo ngjarje sipas cilësimeve në raport, “përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit”.

Kosovës gjithashtu i kërkohen hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, konform propozimit evropian të vitit të kaluar.

Sa i përket aplikimit për marrjen e statusit të kandidatit, të cilin Kosova e ka dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, KE shprehë gatishmërinë që të përgatitë opinion për këtë aplikimin, sapo këtë ta kërkojë Këshilli i BE-së.

KE në dokument konfirmon se masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë mbetur në fuqi, ndonëse pranohet se shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel ka rekomanduar heqjen e këtyre masave.

Kosova u zotua të zbatojë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj të arritur në vitin 2023 dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara.

Në raportin e sivjetmë, vendi është vlerësuar pozitivisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe përmirësimit të klimës së biznesit.

Kërkohet nga Prishtina zyrtare që të intensifikojë përpjekjet e saj për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Raporti i progresit nënvizon se ekzistojnë përpjekjet për të ushtruar kontroll mbi mediat.

Përmendet edhe transmetuesit publik i cili, sipas raportit po përballet me jo stabilitet për shkak të dorëheqjeve të anëtarëve të menaxhmentit dhe bordit.

Rekomandohet shqyrtimi i Ligjit për RTK-në në mënyrë që të sigurohet financimi i qëndrueshëm ruajtja e pavarësisë së mediumit.

Powered by WordPress