Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Zgjedhjet jokonvencionale në Amerikë

Zgjedhjet jokonvencionale në Amerikë

Nga Altin N. Ademi

Kurdo që i bimë kryq e tërthor demokracisë, Amerikën e kemi postulat. Në kohë të krizave politike, ekonomike, sociale e madje edhe morale, Amerika ka qenë gjithmonë busulla që ka orientuar trendët demokratike, dhe përkundër faktit se problemet e brendshme të saj si skllavëria e segregacioni kanë qenë një anë e errët e ndërtimit të habitatit demokratik, ajo sërish ka pasur kurajën për t’i tejkaluar të njëjtat dhe për tu shndërruar në një eksportues të ideve e modeleve frymëzuese të ngjizjes demokratike për shumë vende anekënd globit.

Natyrisht, strukturën dhe trupin politik të saj kemi filluar ta njohim vetëm në periudhën e masmediave. Por, që nga periudha kur kemi filluar ta njohim më mirë strukturën dhe trupin politik të saj, zgjedhjet për të Parin e Shtëpisë së Bardhë kanë qenë gjithmonë ambienti ku janë shtruar e konfiguruar përfytyrimet se çfarë frekuencash do të zëjnë vend në botë, përmes përcaktimit që qytetarët amerikanë e kanë vulosur në kutitë e votimit.

Kjo nuk do të duhej dhe nuk është përjashtim as me rastin e zgjedhjeve të këtij viti. Por rrethanat aktuale globale, si dhe vetë statusi aktual i Amerikës, i kanë bërë këto zgjedhje, në parim, krejtësisht jo konvencionale. Arsyet e kësaj forme jo konvencionale të zgjedhjeve amerikane lidhen me tre komponentë qendrorë.

Së pari, një dështim i demokratëve për të pasur në dorë agjendën e zhvillimeve globale, duke i bërë SHBA-të, një vend që ndjek pasoja më shumë sesa që i vendosë kurset e drejtimit. Kjo është bërë edhe më e komplikuar për shkak të lidershipit dhe mënyrës se si u kopsit kandidatja aktuale Kamala Harris, e cila, përkundër faktit se përfaqëson simbolikën e një emancipimi politik amerikan, nuk ka arritur të shndërrohet në një personalitet përmes së cilës, bota do të mund të llogariste në tejkalimin e kaosit global dhe rikthimin e normalitetit.

Së dyti, një dështim i republikanëve për të prodhuar një alternativë më të mirë e më pak dyshuese, sesa ajo çfarë vjen përmes rikthimit eventual të ish Presidentit Donald Trump në krye të SHBA-ve. Figura e tij, diskursi dhe mentaliteti që ai përfaqëson, nuk është as mjaftueshëm republikan, as mjaftueshëm institucionalist politik. Është disi më shumë apolitik për nga doktrina, e jo konformist dhe i paparashikueshëm për nga përmbajtja.

Së treti, një përzierje komplekse e diskursit amerikan, nëse këto zgjedhje janë të rëndësishme vetëm për Amerikën apo edhe për vetë fatin e botës, duke mos pasur një përgjigje të qartë për asnjërën nga këto dy pyetje jashtëzakonisht të rëndësishme, në këtë kohë të trazirave e pasigurive të thella që rendojnë mentalitetin psikologjik të popujve.

Natyrisht, populli amerikan tashmë e ka ndarë mendjen dhe kumtimi i këtij përcaktimi do të na bëhet i ditur ditëve të ardhshme. Pavarësisht se cili do jetë rezultati, ajo çfarë mund ta llogarisim me siguri është se nuk do të ketë një ndryshim të shpejtë radikal në botë dhe as nuk mund të presim që të gjitha vatrat e krizës do të menaxhohen menjëherë.

Por me aq sa mund të lexojmë nga perceptimet e ndërtuara, me demokratët në qeverisje, me më shumë gjasë do të vazhdojë statusquoja dhe sanimi, përderisa me republikanët, do nisin aventura të reja dhe një imponim i qartë për tu rreshtuar në “botën” që Amerika ka gjasë ta marrë sërish nën mbikëqyrje.

Powered by WordPress