Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si e pranoi dje kryeministri Kurti që ka qenë gabim gjatë gjithë kohës në procesin e dialogut me Serbinë?

Si e pranoi dje kryeministri Kurti që ka qenë gabim gjatë gjithë kohës në procesin e dialogut me Serbinë?

Shkruan: Afrim Kasolli

Pas pranimit se nuk kishte qenë në gjendje për ta zgjidhur një ekuacion matematikor para nxënëseve të klasës së shtatë, gjatë një vizite në një shkollë në Komunën e Podujevës, sepse “nuk i kishte kushtuar vëmendjen e duhur” zgjidhjes së e kësaj detyre, Albin Kurti, po ashtu dje e pranoi se edhe gjithë procesin e dialogut me Serbinë që e ka drejtuar, paska qenë gabim, me theks të veçantë sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjatë një konference për media kryeministri deklaroi se nuk mund ta themelonte këtë entitet, i cili përndryshe mbetet ndër kërkesat kryesore të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, sepse është kryeministër i një republike demokratike. Dhe në shtete të kësaj natyre, kryeministrat nuk formojnë asociacione komunash, “Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen e bashkëpunojnë. Ju e dini se ne tashmë e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron një asociacion tjetër, atëherë ai duhet të vijë nga dikush tjetër. Nëse kryeministri do ta themelonte atë, asociacioni do të ishte imponim ndaj komunave” tha ndër të tjera Kurti.

Ky qëndrim i ri i shefit të Qeverisë së Kosovës është rrënjësisht i ndryshëm nga ai që e ka mbajtur deri para pak dite. Ishte i njëjti që me ta pranuar draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga BE-ja ,e kishte glorifikuar atë si arritjen më të madhe diplomatike të shtetit të Kosovës. Po ashtu, në takimin e mbajtur në tetor të vitit të kaluar në margjina të samitit të BE-së në Bruksel, Kurti ishte zotuar ta nënshkruante Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit me Serbinë aty, si dhe të njëjtin statut. Këtë zotim tre përfaqësuesit e shtetit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Kurti e kishin përsëritur edhe në letrën dërguar raportueses për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bokojonis, si dhe në çastet e fundit para takimit të Këshillit Ministror të kësaj organizate, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla betua për ta dërguar një draft-statut në gjykatë kushtetuese.

Pra si ndodhi që befas kryeministri të ndërgjegjësohet dhe ta kuptoi se të gjitha këto veprime parapake nuk paskan qenë në frymën demokratik të një rendi kushtetues. Ka shumë mundësi që kjo “përndritje momentale” t’i ketë ardhur nga leximi i raportit të Grupit për Politikat dhe të Drejtën Ndërkombëtare Publike në SHBA, i cili shkruan se “kërkesat ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe se do të shkeleshin kompetencat që kjo kushtetutë ua jep autoriteteve komunale”. Ky raport i këtij think tank-u amerikan, ndër të tjera pohon se “Kushtetuta e parasheh procesin në bazë në bazë të të cilit komunat marrin vendimin për të themeluar asociacione, apo për t’iu bashkuar atyre, siç edhe ka ndodhur tashmë me krijimin e asociacionit të rregullt të komunave, të cilin e kanë themeluar vetë komunat”( ashtu edhe si e parasheh edhe marrëveshja e vitit 2013). Ndërkohë, që kjo të bëhet e mundur duhet që “të kenë zyrtarë të zgjedhur dhe kjo do të thotë që komuniteti serb vendas duhet të marrë pjesë me kandidatë në zgjedhje”.

Pra shihet qartë se ngjashmëria është evidente ndërmjet konkluzioneve juridike të këtij studimi dhe pohimeve të djeshme të kryeministrit. Mirëpo, për fatin e tij tragji-komik, ai dje e pranoi edhe se që të mos rrëshqas në gabimet e sipërcekura fatale për shtetin, është dashur që t’i qëndronte besnik Marrëveshjes së vitit 2013 të nënshkruar nga Hashim Thaçi. Dhe pikërisht dëshira e tij fatale për ta tejkaluar ish-kryeministrin e Kosovës e ka çuar Albin Kurtin në këtë rrugë të gabuar sa i përket procesit të dialogut më Serbinë dhe obligimeve që ia ka mveshur shtetit të Kosovës. Falë kësaj politike shteti i Kosovës sot ndodhet ose ndërmjet izolimit të mëtutjeshëm dhe dështimit sa i përket agjendës së integrimeve evropiane, siç e dëshmoi edhe rasti i mosanëtarësimit në Këshill të Evropës, ose shkeljes së parimeve demokratike shtetërore.

Shtrohet pyetja a ka pasur mundësi që të gjendet një rrugë tjetër ndërmjet këtyre zgjidhjeve ekstreme? Pa dyshim, sikur t’i kishte përfillur rekomandimet amerikane për t’i këshilluar kryetarët shqiptarë të komunave në pjesën veriore që të ofronin dorëheqje, me kusht që të kërkonte mbështetje ndërkombëtare për të ushtruar presion mbi Serbinë për të mos e sabotuar këtë proces. Atëherë topi do të zhvendosej mbi Beogradin dhe do të kuptohej se është ky shtet që ka interes ta sabotojë normalizimit të raporteve ndërmjet dy shteteve. Kosova nuk do të gjendej nën masa sanksionuese kurse anëtarësimi në Këshill të Evropës do të ishte fakt i kryer. Mirëpo, në vend të kthimit të legjitimitetit te qytetarët e atij rajoni, ai preferoi ta qeveris atë zonë me urdhra administrativë dhe t’i ofendonte të gjithë ata që ishin pro këtij opsioni, se janë bërë zëdhënës të kërkesave të Aleksandër Vuciqit. /TV Arbëria

Powered by WordPress