Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Uji i Badocit s’duhet të pihet edhe nëse vlohet – situata me mangan vazhdon edhe për së paku dy javë

Uji i Badocit s’duhet të pihet edhe nëse vlohet – situata me mangan vazhdon edhe për së paku dy javë

Të gjithë ata që furnizohen me ujë të pijes nga Liqeni i Badocit, nuk duhet ta pinë atë së paku edhe për dy javë të tjera. Kjo për shkak të sasisë së lartë të manganit të paraqitur aty.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, thotë se paraqitja e vlerave të shtuara të manganit ndodh kryesisht në kohën e ndërrimeve sezonale apo oscilimeve të temperaturave të jashtme.

“Paraqitja e vlerave të shtuara të manganit në ujin sipërfaqësor është fenomen natyror i cili ndodh kryesisht në kohën e ndërrimeve sezonale apo oscilimeve të temperaturave të jashtme, me ç’rast ndodhin lëvizjet dinamike në trupin e liqenit, dhe si rrjedhojë shtohet sasi e oksigjenit e cila ndihmon në REDOX, reaksionet dhe në ndryshimin e valences së manganit”.

“Bazuar në informacionet për parashikimin e motit, kjo gjendje do të zgjasë bile edhe për dy javë”, ka thënë IKShPK.

Nga Instituti mes tjerash thanë se mangan ka pasur çdo vit, mirëpo atëherë në sasi të ulëta dhe për kohë të shkurtër.

“Mangan ka pasur çdo vit, mirëpo në sasi të ulëta dhe për kohë të shkurtër. Vitin e kaluar dhe këtë vit, vlerat e shtuara të manganit janë më të larta, si dhe kohëzgjatja është më e madhe”.

“Të tëra këto janë si rezultat i ndërrimeve klimatike në një anë, dhe në anën tjetër është infrastruktura në impiantin e trajtimit në Badoc. Marrja e ujit është fikse, diku prej 18m thellësi, dhe si e tillë nuk ofron mundësi të ndërrohet niveli i marrjes së ujit nga shtresat e ujit ku niveli i manganit është më i ulët”, potencuan nga ky institut.

IKShPK-ja thotë se si rezultat i analizave të testeve të kryera të martën (29 tetor) është kuptuar se mangani ka vlera të shtuara prej 0.200 deri 0.550 mg/L. Rrjedhimisht, uji është ende i papijshëm.

“Vlera standarde sipas UA 10/2021 ‘Cilësia e ujit të destinuar për konsum nga njeriu’ janë 0.05 mg/L. Analizat e testeve të ujit të marra sot nga rrjeti shpërndarës në zonën e furnizimit PR03 – e cila furnizon me ujin për pije nga Liqeni i Badocit, rezultojnë me vlera të shtuara të manganit prej 0.200 deri 0.550 mg/L. Meqenëse këto vlera janë disa herë më të larta se VML për mangan, IKShPK rekomandon që uji të mos përdoret për pije”.

Uji i Liqenit të Badocit s’duhet të pihet, edhe nëse vlohet

Uji që vjen nga Liqeni i Badocit, edhe nëse vlohet, prapë mbetet i papijshëm, pasi ai është element kimik dhe jo bakteriologjik.

Kështu tha Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, në një përgjigje për Klankosova.tv.

“Uji mbetet i papijshëm. Dukuri hemiotermike, ndodh kur ditët janë të nxehta e netët e ftohta. Mangani është element kimik dhe jo bakteriologjik, andaj ujin nuk duhet të vlojnë sepse nuk e largojnë manganin nga uji. Por duhet të marrin nga autobotet. Do të marrim masa të tjera që herëve të tjera të mos kemi probleme të tilla”, kanë thënë nga KRU “Prishtina”.

Në përgjigje tutje thuhet se vlera e manganit është 0.8 mg për litër në sasinë e ujit të patrajtuar, ndërsa tek uji i trajtuar 0.3 mg për litër.

“Jemi duke pastruar dhe duke bërë shpëlarjen e linjave magjistrale dhe sekondare në mënyrë që të mos mbetet sasi e manganit në tubacione primare dhe sekondare. Rekomandimi tjetër është nga IKShPK-ja që ne të sigurojmë ujë për pije dhe përgatitje të ushqimit përmes autoboteve duke filluar nga Badoci i Ri, Graçanica, Hajvalia, Veterniku, Lagjja e Spitalit, Rruga B, Lagja Bregu i Diellit, Muharrem Fejza”, thanë nga KRU “Prishtina” .

Çfarë ndodh nëse pini ujë me mangan?

Nëse dikush gabimisht ka konsumuar ujë me mangan, nuk duhet të shqetësohet, përveç në rastet kur konsumohet për 10 ditë me radhë.

Powered by WordPress