Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Haradinaj: Në Pentagon s’kam parë asnjë refuzim për anëtarësimin e drejtpërdrejtë të Kosovës në NATO

Haradinaj: Në Pentagon s’kam parë asnjë refuzim për anëtarësimin e drejtpërdrejtë të Kosovës në NATO

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova ka një “mundësi reale” për t’u anëtarësuar drejtpërdrejt në NATO, pa kaluar nëpër proceset tradicionale të gjata dhe të ndërlikuara, si Partneriteti për Paqe.

Duke folur në “Debat Plus”, Haradinaj shpjegoi se ushtria e Kosovës është ndërtuar mbi një bazë 10-vjeçare amerikane, i njohur si procesi i transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosura të Kosovës, duke u mbështetur tërësisht në planifikimin, doktrinën dhe mbështetjen e NATO-s.

Asnjë trashëgimi të lindjes nuk e kemi. Asnjë doktrinë, asnjë dokument, as rregullore të lindjes. Pikënisja jonë, krejtësisht është NATO. Nuk ka logjik, Kosova me ndjek vendet e lindjes, që kanë pas ushtri të lindjes, doktrina të komunizmit”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinajt, kushtet dhe baza për anëtarësimin e Kosovës në NATO ekzistojnë, duke kërkuar vetëm vullnetin dhe dakordimin politik. Ai theksoi rëndësinë e një plani të ri që përfshin aspektet politike, ushtarake dhe ekonomike, përveç planit 10-vjeçar.

“Duhet një plan i ri, i cili është politik, ushtarak dhe ekonomik, që të plotësojë pjesën e mbetur të pakryer të planit të parë dhe të mundësojë anëtarësimin e menjëhershëm të Kosovës”, ka shtuar Haradinaj.

Në pjesën politike, ai përmendi edhe obligimet që Kosova duhet të marrë përsipër për dialogun dhe fqinjësinë e mirë, duke e cilësuar atë si një kusht thelbësor për pranimin në NATO.

“Tek kjo pjesa politike. Një prej atyre me heq bllokadën për Kosovën është edhe pjesa e obligimeve të dialogut. E fqinjësisë së mirë, është kusht ajo. Ka terren Kosova, ka mundësi Kosova”.

Haradinaj theksoi se gjatë vizitës së tij në Pentagon nuk ka parë ndonjë shenjë të refuzimit ndaj idesë që Kosova të anëtarësohet direkt.

“E kam filluar etapën tjetër të kërkesë, mundësisë të nevojës që Kosova me u anëtares direkt në NATO pa këtë proceset stërzgjatura. Për shembull në Pentagon nuk kam parë ndonjë refuzim… Nëse do të udhëheqsha Qeverinë e Kosovës për një vjet do të ishim në NATO”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.

Powered by WordPress