Kampioni në fuqi, Ballkani, nuk ka arritur më shumë se barazim ndaj Gjilanit, në një ndeshje që pati shumë gola e përmbytje rezultati nga dy skuadrat.
Xhebrailat morën vetëm një pikë përfundimitisht pasi barazuan 3:3 në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Vendasit e nisën shumë mirë takimin, pasi vetëm pas pesë minutave erdhi goli i parë. Lindon Emërllahu shënoi gol të bukur për 1:0.
Reagimi ishte i shpejtë nga mysafirët. Zhvillohej minuta e 15-të, kur Armend Thaqi shënoi për 1:1 me një gjuajtje nga distanca, për të barazuar rezultatin në 1:1.
Gjilani në pushim shkoi me epërsi 2:1, pasi Edi Basa shënoi në minutën e 40-të nga afërsia, i asistuar nga Senad Jarovic.
Ballkani insistoi në krejt pjesën e dytë, pasi ishin në kërkim të rezultatit dhe me sukses arritën ta përmbysnin atë.
Braziliani Giovanni Ribeiro shënoi gol të bukur në minutën e 61-të, për të barazuar shifrat në 2:2, me Adetunjin që asistoi.
Në minutën e 75-të të ndeshjes kishte një prekje me dorë në zonën e Gjilanit dhe VAR e mori përsipër rastin, duke e ftuar edhe gjyqtarin kryesor.
Pas një rishikimi të gjatë, u vendos për penallti. Bernard Karrica ishte i saktë nga pika e bardhë në minutën e 82-të, për ta çuar Ballkanin në epërsi 3:2.
Në fund të takimit sërish VAR luajti rolin vendimtar. Kësaj radhe u akordua penallti për Gjilanin.
Armend Thaqi dështoi nga pika e bardhë, por nga topi i kthyer Jarovic asistoi për te Thaqi, që kësaj radhe në tentimin e dytë shënoi për të barazuar rezultatin në 3:3 në sekondat e fundit të takimit.