12:28 New York
Dark Light

Blog Post

Arbëria TV > Kronikë e zezë > Goditet rrjeti i mashtruesve që përmes “Call Center” në Kosovë ua vodhën gjermanëve 650 mijë euro

Goditet rrjeti i mashtruesve që përmes “Call Center” në Kosovë ua vodhën gjermanëve 650 mijë euro

Zyra e Prokurorit Publik të Konstanzit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se si rezultat i bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe Zyrës së Policisë Kriminale Shtetërore-Wurttenmberg është goditur një rrjet mashtruesish që kanë vepruar ndërkombëtarisht përmes një call center me bazë në Kosovë.

Personat që kanë punuar në këto call center, kanë pretenduar se veprojnë në emër të institucioneve financiare mbikëqyrëse për të rimbursuar palët e dëmtuara për paratë që kanë humbur, në këmbim të një paradhënie.

Zyra e Prokurorit Publik të Konstanzit në Gjermani, thekson se  megjithatë, në realitet, viktimat nuk  kanë marrë asnjë rimbursim dhe janë dëmtuar sërish financiarisht.

“Vetëm qendra e thirrjeve tashmë e shkatërruar shkaktoi dëme prej të paktën 650,000 euro, pavarësisht punës intensive parandaluese nga policia në Gjermani”, thekson komunikata.

Për këtë rast është arrestuar një shtetas i Kosovës i moshës 26 vjeçare dhe janë sekuestruar prova të shumta, përfshirë edhe armë zjarri pa leje.

Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se me datë 24 tetor 2024 është kontrolluar qendra e thirrjeve bashkë me oficerët e Policisë së Gjermanisë.