Tre persona, në mesin e tyre një polic janë arrestuar gjatë ditës së djeshme në Prishtinë, në operacionin e Anti-drogës të koduar “Freeshopi”.
Në njoftimin e policisë, tek personat e dyshuar dhe gjatë kontrollit në trup dhe në lokacionet të tyre ka gjetur sasi e substancave narkotike me peshë rreth 370 gramë, një peshore, tri thika dhe para të gatshme 4 mijë e 870 euro.
“Gjatë realizimit të planit taktik antidroga e Policisë së Kosovës e mbështetur edhe nga njësitet për reagim të shpejtë (NJRSH) tek personat e dyshuar dhe gjatë kontrollit në trup dhe në lokacionet të tyre ka gjetur sasi e substancave narkotike me peshë rreth 370 gram, një peshore, tri thika dhe para të gatshme (4870) euro”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Lidhur me përfshirjen e zyrtarit policor në këtë rast menjëherë është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), për procedura të mëtejme, njofton Policia.
Tre personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje.
“Rasti mbetet të hetohet nga antidroga e Policisë së Kosovës (PK), Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prishtinë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për luftimin e të gjitha veprave penale dhe arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar, pavarësisht rolit dhe funksionit që kanë”, njofton Policia e Kosovës.
Për rastin e policit i cili u kap në flagrancë sonte duke blerë drogë në afërsi të Parkut të Qytetit në Prishtinë, raportoi mbrëmë gazeta online Reporteri.net.
Burime të gazetës online Reporteri.net bëjnë të ditur se i dyshuari është polic i ri, nga gjeneratat e fundit.