Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, e ka quajtur jo serioze Qeverinë aktuale të Kosovës, duke shprehur bindjen se në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit do të ketë qeveri të re.
“Pra këta janë jo serioz, këto nuk janë qëndrime një burrështetasi, qëndrime shtetërore, kjo situatë është e mjerueshme veç një fat e kemi që jemi prag zgjedhjeve dhe jemi të bindur që vendi do të ketë një qeveri të re, qeveri që do ta nxjerrë nga sanksionet dhe qeveri që do t’i hapë vendit tonë perspektiv. Këto qëndrimet nuk duhet të merren seriozisht, këto janë qëndrime elektorale të tyre, kjo është shumë jo serioze”, është shprehur Tahiri.
Ai ka theksuar se PDK-ja ka në plan të ftojë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të diskutuar mundësinë e ndërhyrjes së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) në disa gazetarë.
Mes tjerash, ai ka thënë se PDK-ja nuk do të votojë marrëveshjet ndërkombëtare.