Nëse pi duhan, ka shumë mundësi që të jesh i/e varur nga nikotina. Varësia nga nikotina, substanca që gjendet te duhani, ka karakteristika të ngjashme me varësitë që krijon kokaina dhe heroina. Nuk kërkon shumë kohë për të krijuar varësi ndaj saj, madje studimet tregojnë se mund të ndodhë pas një apo dy përdorimeve.
Ja shenjat që tregojnë se po krijon varësi ndaj nikotinës:
Koha se sa shpejt ndjen se duhet të pish një cigare në mëngjes pas zgjimit është një tregues i mirë i nivelit të varësisë tënde nga nikotina. Nëse nis cigaren tënde të parë të ditës brenda pesë minutash pas zgjimit, varësia jote është mjaft e fortë. Nëse është brenda 30 minutash, është e moderuar, dhe nëse është brenda 60 minutash ose më vonë, është pak më e ulët.
Shenja të tjera që tregojnë se ke zhvilluar një varësi nga nikotina përfshijnë:
-Pi duhan edhe kur je i/e sëmurë;
-Del jashtë për të pirë një cigare, edhe nëse është ftohtë ose po bie shi;
-Të duket e vështirë të mos pish duhan në vende ku është e ndaluar, si shkollë, kinema, bibliotekë ose spital;
-Vazhdon të pish duhan pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga familja ose miqtë;
Një tjetër mënyrë për të kuptuar se je i/e varur nga cigaret është se kur provon të ndalosh, përjeton simptomat e varësisë, të cilat janë:
-Irritim dhe zemërim;
– Vështirësia në përqendrim;
– Depresioni ose ankthi;
– Shqetësime fizike, si të kishe një grip të lehtë;
– Dhimbje koke dhe marramendje;
– Pamundësi për të fjetur pa u zgjuar disa herë;
– Shtim i lehtë në peshë.
Disa këshilla se si mund të heqësh dorë nga duhanpirja sa je në kohë:
– Gjej një shpërqendrim: Dil për një shëtitje, laj enët, telefono një mik.
– Rikujto arsyet pse dëshiron të ndalosh: Mendo 5 arsyet kryesore pse duhet të ndalosh së piri duhan, si p.sh., rritja e mundësisë për t’u prekur nga kanceri i mushkërive ose kursimi i një shume të madhe parash çdo javë duke mos blerë cigare;
– Shmangni situatat që ju “detyrojnë” të ndizni një cigare: Shkaktarët e zakonshëm përfshijnë ndjenjën e stresit, të qenit i/e mërzitur, ose një pije alkoolike që do ta shoqërosh me diçka tjetër.
Vlerëso situatat që të shkaktojnë më shumë stres dhe përpiqu të gjesh teknika për t’u përballur me to, si frymëmarrja e thellë ose praktikimi i yoga-s. Qëndro larg bareve dhe vendeve të tjera ku zakonisht pihet, veçanërisht kur po fillon përpjekjet e tua për të ndaluar. Nëse duhet të marrësh patjetër diçka, zgjidh një pije joalkoolike.