Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga sulmi i Iranit me raketa balistike me 1 tetor kundër Izraelit, ka qenë e pritshme që ky i fundit do të hakmerrej. Këtë gjë e kishin bërë të qartë zyrtarët më të lartë të këtij shteti. Kryeministri Benjamin Netanjayu, kishte deklaruar se mbetet parim i këtij shteti “që kush i sulmon, ata do të kundërpërgjigjen”. Kurse ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, pat paralajmëruar se kundërpërgjigja e Forcave Mbrojtëse të Izraelit ndaj Teheranit, do të jetë “vdekjeprurëse, i saktë dhe befasuese”. Se planet e sulmit izraelit ishin gati, patën raportuar shumë media ndërkombëtare. Dilema ishte se në çfarë përmasa dhe shkalle do të ishte ky atak. Si dhe pasojat që do të kishte për rajonin në përgjithësi.
Kështu, sipas mediave ndërkombëtare, tashmë ky sulm i “shumë pritur” ka përfunduar. Ushtria izraelite ka deklaruar, se ai është ushtruar në “ndërtesa për prodhimin e raketave” dhe “kapaciteteve tjera ajrore iraniane”. Mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i Iranit në këtë rast, a do të pasojë me ndonjë kundërsulm tjetër, duke e përshkallëzuar edhe me tej situatën në Lindjen e Mesme, apo do të përmbahet?
Ndonëse, ky sulm dëshmoji edhe një herë për kapacitetet e limituara të mbrojtjes kundërajrore të Iranit, ashtu edhe siç kishte ndodhur në muajin prill, kur ky sistem nuk kishte qenë në gjendje të detektonte me kohë disa raketa në afërsi të programeve bërthamore në qytetin Isfahan.
Sipas analistëve ndërkombëtarë, kufizimi i sulmit izraelit vetëm ndaj caqeve ushtarake të Iranit mund të jetë edhe pasojë e ndikimit të SHBA-ve për të mos e targetuar programin bërthamor të këtij shteti, apo rafineritë e naftës. Madje, Uashingtoni, ia kishte bërë të qartë Tel Avivit, se nuk dëshirojnë që Izraeli të sulmojë vendet bërthamore apo fushat e naftës iraniane. Presidenti amerikan Joe Biden, pas bisedës me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ishte shprehur se hakmarrja e Izraelit duhet të jetë “proporcionale.” Po ashtu, edhe vendet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Sudite, Bahreinin dhe Katarin, qenë angazhuar në një mision diplomatik për ta shmangur me çdo kusht atakimin rafinerive të naftës, sepse një veprim I tillë do të krijonte pasoja negative ekonomike dhe mjedisore për të gjithë rajonin.
Sidoqoftë, nëse i marrim parasysh qëndrimet strategjike të dy vendeve, atëherë këto shkëmbime të sulmeve ajrore mund të merren si faza fillestare e një luftë totale ndërmjet këtyre dy vendeve. Sepse regjimi në Teheran në vazhdimësi e ka bërë të ditur pozicionin e tij kundër shtetit hebraik. Kurse në anën tjetër, jo pak ditë më parë, Bibi Netanjahu, kishte pohuar se “populli i Iranit shumë shpejt do të jetë i lirë nga kasta teokratike në pushtet”.
Për më shumë Tel Avivi e ka bërë të qartë se edhe lufta ndaj forcave proxy të Gardës Revolucionare Islamike, mund të kompletohet vetëm duke e goditur përfundimisht kokën e oktapodit dhe jo tentakakulat e tij regjionale. Dhe vetëm atëherë Izraeli mund të ndjehet i sigurt.
Mirëpo, që ky mision të kompletohet, do të varet edhe nga variabla tjera në regjion. Sepse asnjëri nga këto dy vende nuk ka resurse të plota për t’i realizuar objektivat e tij pa mbështetjen vendeve të tyre aleate. Tel Avivi është i vetëdijshëm që çdo operacion në një shkallë të gjerë duke përfshirë edhe pushtimin e Iranit me trupa tokësore vështirë se do të ketë sukses pa mbështetjen e SHBA-ve. Dhe në këtë fazë, ose të paktën deri në përfundimin e zgjedhjeve presidenciale, Uashingtoni është i interesuar për ta shmangur në mënyrë kategorike një skenar të tillë. Në anën tjetër as Rusia, si sponsori kryesor i Iranit, edhe pse përfiton nga mbajta gjallë e kaosit në Lindje të Mesme, nuk ka interes nga një luftë totale e këtij shteti kundër Izraelit. Ngase ajo e ka synim primar suksesin ushtarak në Ukrainë. Dhe siç e dëshmuan të dhënat e fundit, Putini në mënyrë të dëshpëruar është vënë në kërkim të forcave të reja ushtarake dhe nga Korea e Veriut për të kompensuar humbjet tokësore në këtë luftë.
Ndërkohë, vet këto dy vende, jashtë këtyre variabalae ballafaqohen me faktorë tjerë që i kufizojnë skenarët e sipërpërmendur. Siç shkruan, Kenneth M. Pollack, në shkrimin “Is a Full-Scale Middle East War Already Here?- Iran and Israel Face Limitations That Make Massive Escalation Unlikely” të botuar para pak dite në Foreign Affairs, faktori më i rëndësishëm që kufizon një luftë të përgjithshme midis Iranit dhe Izraelit është distanca. Dy vendet nuk kanë një kufi të përbashkët. Në mes tyre ndodhen Turqia, Siria, Iraku, Jordania, Arabia Saudite dhe Kuvajti. Disa nga këto vende janë më të afërta me Izraelin, disa me Iranin, dhe disa janë armiqësore ndaj të dyve. Po ashtu, të dy palët përballen me pengesa të rëndësishme materiale dhe strategjike që e bëjnë një luftë të plotë midis tyre të pamundur.
Irani është shumë pas Izraelit në pothuajse të gjitha aftësitë ofensive dhe mbrojtëse, prandaj nuk mund të shkaktojë dëme shkatërruese. Ndërkohë, Izraeli ka një kapacitet të jashtëzakonshëm për goditje të përcaktuara, por i mungojnë burimet e mjaftueshme që një luftë pushtuese ose shkatërruese ndaj Iranit do të kërkonte. Bie fjala, për ta të invaduar Iranin, forcat tokësore izraelite do të duhej të kalonin përmes Irakut dhe Jordanisë ose Irakut dhe Sirisë, gjë që do të ishte në aspektin logjistik e vështirë dhe strategjikisht gati e pamundur
Natyrisht, kjo nuk do të thotë që intensifikimi i tensioneve do të shmanget në këto rrethana. Përkundrazi, ato mund të galvanizohen edhe më shumë./tvarbëria/