Numri i të vdekurve nga stuhia tropikale Trami në Filipine është rritur në 46 dhe të paktën 20 të tjerë janë të zhdukur, njoftuan sot autoritetet.
Administratori i Zyrës së Mbrojtjes Civile Ariel Nepomuteno tha se nëntë rajone në të gjithë vendin raportuan vdekje në lidhje me stuhinë tropikale, raportoi Xinhua.
Numri më i lartë i vdekjeve – 28 – u raportua në Bicol, një rajon në juglindje të Manilës, i ndjekur nga rajoni Calabarzon ku vdiqën 15 persona. Qeveria ka mbyllur shkollat dhe zyrat – përveç atyre që nevojiten urgjentisht për t’iu përgjigjur katastrofës.
Stuhia u shoqërua me erëra deri në 160 kilometra në orë. Në vetëm 24 orë ra sasia e reshjeve që bie mesatarisht në dy muaj.
Agjencia qeveritare për zbutjen e fatkeqësive tha se më shumë se dy milionë njerëz u prekën nga stuhia, duke përfshirë 75,400 banorë të cilët u zhvendosën nga shtëpitë e tyre në strehimoret emergjente të të afërmve në vende më të sigurta.