Kamala Harris u ndje falënderuese për mbështetjen e ish-presidentit amerikan Barack Obama për fushatën e saj.
Harris riktheu në kujtesë momentin kur edhe ajo mbështeti Obamën 17 vjet më parë në Springfield, Illinois, duke e cilësuar atë si një udhëheqës të shkëlqyer që frymëzoi miliona amerikanë.
“Në një ditë të ftohtë të shkurtit, bëra një udhëtim në Springfield, Illinois. Shkova atje për të mbështetur këtë senator të ri dhe të shkëlqyer, i cili po kandidonte për president të Shteteve të Bashkuara. Miliona amerikanë u ndjenë të frymëzuar jo vetëm nga mesazhi i Barack Obamës, por edhe nga mënyra se si ai udhëheq.” deklaroi Harris para të tubuarve në Georgia.
Megjithatë, entuziazmi i Harris ndryshoi shpejt kur filloi të fliste për rivalin e saj, Donald Trump. Ajo theksoi rëndësinë e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar: “Dikush që sugjeron se duhet të shfuqizojmë Kushtetutën nuk duhet të qëndrojë më kurrë pas stemës së presidentit.”
Ndërkohë, Donald Trump, i cili po përballet me akuzat e rënda nga Harris foli për politikën e emigracionit. Ai e përshkroi situatën në SHBA si një “kosh plerash” ku akuzoi administratën aktuale për dështimin në ruajtjen e sigurisë, duke pretenduar se një veteran i Marinsave të SHBA-së u vra nga një bandë meksikane.
Teksa gara elektorale po ashpërsohet, Trump mori mbështetje të rëndësishme financiare nga miliarderi Elon Musk, i cili ofroi edhe 44 milion dollarë për fushatën e republikanit për 12 ditët e mbetura.