Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Qorrolli paditë Tahirin, avokati thotë se zv.ministri është linçuar me shpifje

Qorrolli paditë Tahirin, avokati thotë se zv.ministri është linçuar me shpifje

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, sot ka dorëzuar padi ndaj deputetit Abelard Tahiri, nën pretendimin se ky i fundit ka shpifur ndaj Qorrollit.

Zëvendësministri Qorrolli e dorëzoi padinë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, teksa mes të tjerash kërkoi ndalimin e shpifjeve kundrejt tij.

“Çapaçuli shpifës do duhet t’i tregojë tashmë Gjykatës dhe përmes saj tërë opinionit publik sesi unë jam propozuar për gjyqtar nga “benjaminët” e tij politikë të bashkëqeverisjes – “Lista Srpska”” deklaroi Qorrolli.

Për padinë në fjalë është deklaruar edhe avokati i Qorrollit, Genc Kadriu.

Kadriu tha për IndeksOnline se do të vërtetohet se deklarimet e Tahirit kanë qenë shpifje, dhe se prapa kësaj fshihet një fushatë e egër politike.

“Në emër dhe për llogari të zëvendësministrit të Drejtësisë, sot bashkë me të kam deponuar një padi, me kërkesë për caktimin e masës së përkohshme, padi me të cilën ne do të vërtetojmë të gjitha shpifjet e deklaruara nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, shpifje këto tani të demantuara edhe publikisht edhe nga mediat të cilat kane raportuar për përgjimet e sajuara. Gjithçka do të vërtetohet në Gjykatë për këto shpifje të ulëta, pasi i padituri ka linçuar emrin e zv.ministrit, me qëllim dëmtimin e reputacionit të tij. Kjo është një fushatë e egër politike, prandaj ne ju kemi drejtuar gjykatës që ta vërtetojmë se pretendimet e publikuara nga ai janë të pavërteta dhe me qëllim dëmtimi të emrit dhe personalitetit të zotëri Qorrollit”, deklaroi Kadriu.

Në një konferencë për media dy javë më parë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pati deklaruar se LVV-ja ishte koordinuar me Listën Serbe, për kandidaturën e Qorrollit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

“Kishin një koordinim me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kishin kandidatin e tyre për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Flasim për një kandidat i cili ka qenë më shumë se katër herë në garë e që është përkrahur nga LVV-ja edhe kur ka qenë në opozitë kjo parti, edhe tani në pushtet. Fatmirësisht, Vigan Qorrolli nuk arrin të emërohet në Gjykatën Kushtetuese, si rezultat i një angazhimit të opozitës së bashku me një pjesë të vogël të deputetëve nga LVV-ja”, kishe deklaruar Tahiri.