Shkruan: Afrim Kasolli
Gjithnjë e më shumë kohën e fundit është duke dominuar opinioni mbi reduktimin e rolit amerikan në të ardhmen si në Evropë në përgjithësi ashtu edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor në veçanti. Ngase kjo super fuqi tash e tutje do të jetë më shumë e fokusuar në vatra tjera të krizave gjeopolitike, siç janë Lindja e Mesme dhe rajoni i Azi Paqësorit. Madje sa i përket synimeve strategjike amerikane për t’i kontrolluar ambiciet hegjemonike të Pekinit ka një konsensus bipartizan partiak në SHBA.
Para pak dite në shkrimin “Kosova nuk do të ketë asnjë përfitim shtesë si nga fitorja e Donald Trump apo edhe Kamal Harris”, kam tentuar t’i ravijëzojë disa nga pasojat eventuale të këtij skenari. Ndërkohë, në këtë linjë pata rastin të lexoj një intervistë për mediumin Evropa e Lirë, të Milan Niç, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, i cili pohon se “roli i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor do të zvogëlohet, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet atje. Prandaj i njëjti autor bënë thirrje, që Bashkimi Evropian, e sidomos Gjermania të angazhohet më seriozisht në zgjidhjen e konflikteve të mbetura në Ballkanin Perëndimor.
Me këtë rast, shtrohet pyetja se a mundet që Berlini ta kompensojë vakumin gjeopolitik amerikan? Dhe në çfarë kushtesh do të ushtrohej ky rol? Personalisht jam skeptik mbi potencialin diplomatik të Gjermanisë për këtë detyrë. E para në rrethanat aktuale ky shtet nuk mund ta jetësoje këtë mision pa pajtimin e Francës. Sepse përndryshe do ta përfitonte rivalitetin e Parisit, ngase ky i fundit nuk do të pajtohej me asnjë kusht me një pozicion të ri hegjemonik të Berlinit në kontinentin e vjetër dhe shndërrimin e tij si një garantues kryesor i sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Evropë.
Po ashtu, as Britania nuk do të pajtohej me këtë skenar. Në këtë kontekst vetëm sa do të rikthefshin rivalitetet e vjetra gjeopolitike ndërmjet këtyre shteteve që e kanë dominuar kontinentin që nga fundi i shekullit 19-të, por që gjetën zgjidhje vetëm kur SHBA-të u shndërruan në garantues kryesor të sigurisë evropiane, pas përfundimi të Luftës së Dytë Botërore.
Madje, të dy këto vende u pajtuan mbi bashkimin e Gjermanisë në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, vetëm pas garancioneve amerikane se integrimi i këtij shteti të bashkuar në kuadër të strukturave trans-atlantike është rruga e duhur për ta mbajturat atë të kontrolluar. Sot mbase është harruar, por një nga qëllimet kryesore të krijimit të Aleancës Veri-Atlantike-NATO-së, kishte qenë si ta mbante atëbotë Amerikën brenda, Rusinë jashtë Evropës dhe Gjermaninë të përulur, “keep the Russians out, the Americans in, and the Germans down”. Mirëpo, pas ndryshimeve tektonike gjeopolitike tash është vetë Amerika, që për të mbrojtur interesat e saj nacionale po kushtëzohet të riorientohet në zona tjera.
Ndërkohë, përpos këtyre rivaliteteve dhe antagonizmave të mundshëm , një shqetësim tjetër mbetet fakti se si do ta ushtronte Berlini këtë detyrë të re historike. Sepse në fund të fundit, gjatë administratës së Obama, thuajse Amerika ishte tërhequr në masë të madhe nga çështjet evropiane. Dhe në këtë kohë raportet ekonomike ndërmjet Gjermanisë dhe Rusinë njohën një lulëzim të paparë. Nga ky konstelacion kishte përfituar jo pak edhe Serbia. Dikush mund të thotë se një politikë e tillë ishte orientim i ish-kancelares gjermane Angela Merkel. Mirëpo, e vërteta është se këtë trend e ka ndërprerë vetëm lufta në Ukrainë. Ngase ato lidhje ekonomike-biznesore do të vazhdonin me të njëjtin ritëm edhe nga Qeveria aktuale në Berlin. Sidomos, kur marrim parasysh faktin se Partia Social Demokrate është trashëgimtare e konceptit të njohur Ostpolitik, ku normalizimi i raporteve me Lindjen duhet të jetë interes strategjik shtetëror gjerman.
Prandaj, e ardhmja e Kosovës vetëm sa do të jetë më e paqartë nga skenari i reduktimit të rolit amerikan në rajon. E gjendur në një proces negocitor me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimit Evropian pa mbështetjen amerikane vetëm sa do të shtoheshin presionet mbi të. Në proverb kinez pohon “Zot ruajmë nga dëshirat e mia se ato mund të realizohen”. Në këtë kontekst tashmë si duket Albin Kurti do të detyrohet të mbrohet nga dëshira e tij mbi minimin e rolit të Amerikës në Kosovë “pasi kjo e fundit nuk është Meksikë”./TV Arberia