Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Sekretari i partisë së Ilir Metës: “Arrestimi i inskenuar nga Edi Rama, arsyeja është mbrojtja e kufijve të Kosovës”

Sekretari i partisë së Ilir Metës: “Arrestimi i inskenuar nga Edi Rama, arsyeja është mbrojtja e kufijve të Kosovës”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi përmendi çështjen e kufijve të Kosovës, ndërsa foli në një konferencë për media për “arsyen e vërtetë” të arrestimit të sotëm të ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Ai e quajti “akt terrorist” këtë arrestim, të urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit. Kreun e SPAK-ut e quajti “Bin Laden.

“Ndaj Ilir Metës nuk ka asnjë akuzë të mbështetur mbi fakte dhe prova”, tha Blushi. “Nuk ka asnjë provë, asnjë dokument dhe asnjë dëshmi që e implikon atë në aferë korruptive”.

“Gjithçka ka të bëjë me një proces të inskenuar nga Edi Rama dhe të zbatuar nga gjelati i tij në krye të SPAK-ut, të kësaj strukture terroriste”, tha ai.

Sipas sekretarit të partisë së Metës, arsyeja e arrestimit të Metës është “mbrojtja e çështjes së Kosovës”.

“Arsyeja e vetme, apo ‘akuzat’ e vetme për të cilat Ilir Meta është ndaluar sot, janë këto që po i rendis më poshtë: është mbrojtja e interesit kombëtar, mbrojtja e çështjes së Kosovës – dhe ju e dini betejën që presidenti Meta ka bërë për t’i dhënë fund skenarit ogurzi të ndryshimit të kufijve të Kosovës. Është beteja e tij e jashtëzakonshme për mbrojtjen e çështjes së detit…”, tha Blushi.

SPAK raportohet se ka kryer një hetim pasuror ndaj Metës, i cili pasi u ndal pak në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, u dërgua në Bllokun e Sigurisë (qendra ku dërgohen fillimisht të arrestuarit).

Ky hetim besohet se është shkaku i arrestimit të sotëm, ndërsa ndaj tij ka edhe çështje të tjera hetimore.

Meta kishte qëndruar për më shumë se tre orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme në qershor. Nga deklaratat e tij u mësua se ishte pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes.

Meta ka qenë president, kryeministër, ministër i Jashtëm, ndërsa kishte mbajtur edhe poste të tjera të larta shtetërore në Shqipëri.