Objektin ku ka funksionuar komuna paralele e Skenderajt me seli në Mitrovicë të Veriut sot e kanë vizituar hetuesit policorë dhe drejtori i minierës së “Trepçës”, Shyqyri Sadiku.
Dje, pasi mbylljes së këtij objekti, Policia e Kosovës ka intervistuar përgjegjësin e kësaj strukture paralele.
Sipas shefit të Operativës Rajonale për Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza, përgjegjësi i komunës paralele të Skënderajt është mbrojtur në heshtje.
“Është intervistuar, është mbrojtur në heshtje” – tha Fejza për Kallxo.
Po të njëjtën ditë, Policia e Kosovës njoftoi se kanë zhvilluar kontrolle në këtë objekt.
Sipas njoftimit të Policisë, objekti ku ishte duke funksionuar komuna paralele e Skenderajt është nën pronësi të Trepçës.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, më 30.08.2024, pati njoftuar për mbylljen e pesë institucioneve paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
“Sot, pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit” – pati shkruar ministri Krasniqi në Facebook.
Sipas ministrit Krasniqi, këto pesë komuna paralele që nuk do të operojnë më, do t’i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat ishin mbyllur më herët, në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
Më 26.01.2024 u mbyllën katër komuna paralele në fshatin Vranisht të Dragashit, ndërsa më 02.02.2024 u mbyll një komune ilegale serbe në Pejë e në të njëjtën ditë u zhvillua aksioni policor edhe në komunën e Klinës, Istogut.