Nga Afrim Haliti
Paraqitja e mbrëmshme e Daut Haradinajt në Pressing ngritë pikëpyetje në lidhje me besueshmërinë e akuzave të AAK-së ndaj Albin Kurtit, të cilin ata e cilësojnë si një aset serb. Në vitin 2014, partia e Haradinajt AAK formoi një koalicion me Vetëvendosjen, me qëllim të qartë për të sfiduar fitoren e PDK-së në zgjedhjet e përgjithshme. Koalicioni VLAN ku ishte edhe Vetëvendosje, lë të kupton se AAK-ja ishte e gatshme të bashkëpunonte me lëvizjen e Kurtit në atë kohë, pavarësisht akuzave që po ngrenë tani.
Dauti mbrëmë tentoi ta anashkalojë këtë duke pretenduar se bashkëpunimin me Vetëvendosjen e kishin bërë vetëm përmes Visar Ymerit dhe jo Albin Kurtit. Ndonëse në një periudhë kjo teknikisht edhe mund të jetë e vërtetë, kjo nuk shpjegon pse AAK-ja bashkëpunoi me Vetëvendosjen, duke ditur rëndësinë e Kurtit brenda partisë. Albin Kurti ka qenë gjithmonë figura simbolike e Vetëvendosjes dhe është e vështirë të besohet se AAK nuk ka qenë në dijeni të ndikimit të tij gjatë bashkëpunimit të tyre politik.
Hipokrizia qëndron në faktin se Haradinaj dhe AAK-ja tani po e akuzojnë Kurtin si një aset serb, një akuzë e rëndë, edhe pse dikur kishin aleancë strategjike me të. Nëse AAK vërtet beson apo besonte edhe më parë se Kurti përbën/te një kërcënim të tillë, pse nuk e trajtuan këtë problem më herët? Dështimi i tyre për të pranuar apo kërkuar falje për këtë bashkëpunim të mëparshëm dobëson qëndrimin e tyre aktual. Pa një llogaridhënje publike apo kërkimfalje për bashkëpunimin me Kurtin në të kaluarën, akuzat e AAK-së duken më shumë si lojë për përfitime politike sesa të bazuara në parime.
Derisa AAK të pranojë bashkëfajësinë e saj në fuqizimin e Vetëvendosjes, akuzat e tyre do të kenë mungesë kredibiliteti dhe do të konsiderohen si shqetësime oportuniste dhe jo të vërteta për të ardhmen politike të Kosovës.
Kjo që po e them nuk nënkupton apo konfirmon qëndrimin tim nëse Albin Kurti është apo s’është aset serb. Thjeshtë, besoj që AAK, Haradinajt dhe jo vetëm, ia kanë borxh qytetarëve një kërkimfalje për bashkëpunimjn e tyre me Kurtin.