Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Përplasje” mes Qeverisë dhe BE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës

“Përplasje” mes Qeverisë dhe BE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vazhdimësi ka qenë i zëshëm sa i përket heqjes së masave ndaj Kosovës.

Edhe krejt së fundmi në Samitin e Berlinit, Kurti kërkoi që Bashkimi Evropian të heq masat ndaj Kosovës, pasi sipas tij Kosova ka bërë hapa drejt këtij vendimi.

Lidhur me këto kërkesa, ka reaguar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ai ka thënë se për heqjen e masave ndaj Kosovës nuk vendos kryeministri Kurti, por këtë vendim e marrin shtetet anetare të BE-së, këtë Stano e tha në një përgjigje për Gazeta Express.

“Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen apo jo, ky është një vendim që duhet ta marrin shtetet anëtare”, tha Stano.

Pas këtyre deklarimeve nga Stano, ka ardhur edhe reagimi nga Qeveria e Kosovës. Nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ai në një përgjigje për Rtv21, ka thënë se është e ditur që vendimin për heqjen e masave nuk e merr Kosova por sipas tij masat duhet të hiqen.

“Pas deklarimit dhe vlerësimit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, nuk është më çështje se a duhet apo jo të largohen masat ndaj Kosovës apo kush i largon ato, por pse ato nuk po largohen. Kjo është pyetja për të cilën duhet të japë një përgjigje Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrel, respektivisht z. Stano dhe Bashkimi Evropian”, ka thënë Kryeziu nga Qeveria.

Ndryshe këto nuk janë “përplasjet” e para mes Qeverisë së Kosovës, dhe përfaqësuesëve ndërkombëtarë. /TV Arbëria