Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Ukraina do t’i bashkohet Aleancës si vendi i 33 apo 34-të në një të ardhme.
Rutte është takuar sot me ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel.
Ai foli një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky prezantoi “Planin e Fitores”, ku në një nga pesë pikat është ftesa e këtij vendi për t’iu bashkuar NATO-s.
Rutte u përmbajt të tregonte nëse anëtarët e Aleancës janë bërë më mbështetës për dhënien e një ftese të tilla Ukrainës.
“Për momentin, duket se do të jetë Ukraina si numri 33. Por ndoshta dikush tjetër do të dalë përpara saj. Por Ukraina do të jetë anëtare e NATO-s në të ardhmen. Kështu vendosëm në Uashington. Pra, pyetja nuk ka të bëjë me afatin kohor”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Ai shtoi se aleatët janë aktualisht të përqendruar në përpjekjet që hapin rrugën për anëtarësimin e Ukrainës.
“Pra, atëherë pyetja është saktësisht se kur, nuk mund t’i përgjigjem kësaj tani në atë moment. Por qartë, ne po punojmë në të gjitha këto pista për t’u siguruar që me të vërtetë një ditë Ukraina do të jetë anëtare e NATO-s”, shtoi Rutte.