Shkruan: Afrim Kasolli
Asgjë nuk e shpërfaq më shumë qasjen morbide të kësaj qeverie, se sa gjuha e ministrit të Financave, Hekuran Murati ndaj opozitës. Ai para pak dite e konsideroi këtë fundit tw ngjashme me ushujzat, krijesa që mpin “trupin e organizmit deri sa ushqehen me gjakun e tij”. Pra sipas tij edhe opozita në “Kosovë për 20 vite ia ka thithur gjakun e Kosovës për t’u ushqyer për vete”. Në fund ato do të largohen një nga një ku “mund të shkaktojë pak dhimbje në fillim, e mund të duket se po shkakton edhe gjakderdhje të përkohshme madje, mirëpo kjo është e vetmja mënyrë se si të kthjellet trupi”.
Me anë të këtij statusi, ministri Murati e shtroi rrugën e “vrasjes morale” të opozitës, si parakusht për eliminimin e saj juridik dhe politik. Pra zhbërja e saj është mision fisnik për Kosovën. Hap që i shërben rigjenerimit biologjik të trupit të saj shoqëror. Prandaj, kjo është një rrugë e domosdoshme, ku duart e ndyta të pushtetit kundër saj i shërbejnë një qëllimi madhor. Dhimbja e sotme përfaqëson çlirimin përfundimtar nesër.
Kjo mendësi derivon kryesisht nga universi totalitar. Sepse as Hitleri nuk kishte mundur ta fillonte procesin e vrasjes masive të komunitetit hebre, pa dehumanizimin fillestar të tyre. Vrasjen morale dhe degradimin juridik si subspecie njerëzore. Krijesa që e kanë paralizuar trupin biologjik të kombit gjerman. Prandaj, përndjekja dhe eliminimi i tyre nuk është asgjë tjetër, pos një hallkë e domosdoshme në restaurimin e shëndetësor të organizmit të infektuar. Në këtë linjë po ashtu ishte ndërtuar edhe arsyetimi komunist, kundër pronarëve te mjeteve të prodhimit, të cilit për shekuj ia kishin thithur gjakun klasës punëtore, duke u ushqyer për vete me mundin e tyre. Tashmë ligjet biologjike dhe historike e kishin shpallur verdiktin final tw racës dhe klasës së destinuar për zhdukje.
Se kjo gjuhë dhe mendësi fqinjëron dhe e ndjellë krimin, e ka analizuar në mënyrë “profetike” shkrimtari i njohur Fyodor Dostoevsku në romanin e tij emblematik “Krimi dhe Dënimi”. Ai tregon se si krypersonazhi i kësaj drame jetësore, Rodion Romanovich Raskolnikov, nuk mund ta vras plakën pa e shpallur atë fillimisht se “morr estetik”. Dhe vetëm pasi e bind vetën se viktima e tij ardhshme është e zhveshur nga dinjiteti njerëzor, atëherë pason skena e krimit makabër. Ashtu sikur se pushteti që sot në Kosovë e ka indoktrinuar vetën se është duke i luftuar ushujzat opozitare.
Në këtë kontekst, tash i mbetet opozitës a do ta dëshmojë vetën se janë qenie politike dhe nuk e pranojnë këtë kualifikim jonjerëzor, apo do të pajtohen dhe të jetojnë të strukur në kolltukët e rehatshme opozitës me pretendimin se dallojnë nga pushteti, prandaj nuk do merren me të. Por reagimi ndaj kësaj strategjie dehumanizuese duhet jetë politik, e jo me terma biologjikë. /TV Arbëria