Ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka reaguar për vdekjen e ambasadores së parë të SHBA’së në Kosovë, Tina Kaidanow. Ai ka thënë se Kaidanow ishte plot energji dhe e fokusuar maksimalisht për të ndihmuar dhe përkrahur Kosovën ëpr ta arritur pavarësinë.
“Zonja Ambasadore ishte plot energji dhe maksimalisht e fokusuar gjatë mandatit të saj duke e ndihmuar dhe përkrahur Kosovën për të arritur qëllimin madhor, pra pavarësinë. Ishte thjeshtë, e qartë dhe e drejtpërdrejt në komunikime publike.”
Sejdiu ka thënë se Kosova ishte shumë me fat që Kaidanow u gjend në vendin e duhur në kohën e duhur.
Kisha raporte jashtëzakonisht të mira. Në veprimtaritë e saj të përgjithshme të atyre viteve, nuk mund të gjej asnjë detaj që ajo tregoi shenja lodhjeje. Natyrisht se ishte e përzgjedhura e Presidentit Bush dhe Sekretares së shtetit Condoleezza Rice që ajo Kaidanow të jetë ambasadorja e parë e SHBA-ve në Kosovë. Shoqëria e Kosovës dhe shteti ynë ishin me shumë fat që ajo gjendej në vendin e duhur në kohën e duhur.”
Sejdiu i ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që e bashkëndjejnë dhimbjen për vdekjen e Kaidanow.
Në nderim të ambasadores, Sejdiu e ka publikuar një fragment nga libri i tij” Ora e Kosovës – pavarësia dhe shtetndërtimi”:
“Lajmin e parë se ishte e propozuar për ambasadore e SHBA-së në Kosovë, qe dita kur diskutonim për Deklaratën e Pavarësisë, takim në të cilin ishte edhe zëvendësndihmësja e sekretares së Shtetit, Rosemarie DiCarlo dhe personalitete të rëndësishme nga SHBA-ja. Ishte shumë e ngazëllyer ngase gradohej për së pari në rangun e ambasadores fuqiplotë, pra ishte rangu më i lartë diplomatik dhe se caktohej në vendin që do të jetë shteti më i ri në Evropë.
Letrat e akreditimit të saj ecën kanaleve diplomatike dhe Kosova dha pëlqimin e saj.
E pazakonshmja në këtë proces, por jashtëzakonisht simpatike qe ngjarja kur ne ndodheshim në SHBA në vizitën shtetërore, ku ishte organizuar edhe takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin George Ë. Bush. Pas takimit me sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice, ajo na ftoi në ceremoninë e emërimit të zonjës Kaidanow për Ambasadore Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës. Kjo nuk ishte praktikë e zakonshme. Por, ja se ishte një ngjarje shumë domethënëse diplomatike.
Në atë takim të përbërë prej diplomatësh dhe familjarësh, takova edhe prindërit e saj. Më la përshtypje kureshtja e tyre për Kosovën.
Angazhimi i Tina Kaidanow ka qenë i veçantë. Në atë kuadër dallohet përkushtimi i saj për të ndihmuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e vendit si shtet i pavarur dhe sovran. Njihte shumë personalitete në Kosovës, qofshin ata nga jeta publike, përkatësisht politike, qofshin nga veprimtari të tjera.
Për kontributin saj të jashtëzakonshëm, pak pa u larguar nga Misioni në Kosovë, korrikun e vitit 2009, ambasadoren Kaidanow e dekorova me “Medaljen për Shërbim Civil në Kosovë”.
Tina është pjesë e historisë më të re të Kosovës.
I falem me respekt përkujtimit të saj jetësor!”