Aksioni ‘Anti-botoks’ në Shqipëri ka rezultuar me arrestimin e 3 personave dhe shpalljen në kërkim të 3 të tjerëve, ndërsa disa të tjerë janë në hetim në gjendje të lirë.
Në pranga ka përfunduar Mildon Kumaraku, “furnitori” që kontrabandonte dhe magazinonte produktin e paligjshëm, si dhe furnizonte klinikat estetike. Po ashtu, janë arrestuar edhe administratorët e dy klinikave estetike, Xhuljana Mahmuti dhe Deisa Shehaj.
Sipas burimeve nga ZËRI, në kërkim është shpallur mjeku Skerdi Faria.
Pas aksionit të djeshëm, Policia ka publikuar pamjet e produkteve të sekuestruara në qendrat estetike, shumë prej të cilave ishin përdorur nga klientët.
“Në vazhdim të veprimeve procedurale, është iniciuar procedimi në gjendje të lirë për shtetaset A. T., J. B., J. Z., L. C., K. B. dhe E. Sh. Po ashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit S. F., K. B. dhe A. F. B., të gjithë administratorë të klinikave estetike ku injektohej ky produkt. Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim,” njoftoi Policia, e cila i identifikoi të gjithë me iniciale.