Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në tre seancat e fundit plenare të thirrura nga opozita.
Në këto seanca u diskutua në lidhje me çështjen e ushqimit në FSK, mesazhet Mihali-Krasniqi dhe përgjimet Kusari-Lila-Simiq.
Njohësja e zhvillimeve politike në vend, Afërdita Maliqi, duke folur në lidhje me mungesën e pozitës në Kuvend tha se mos-prezenca e tyre tregon se nuk janë në gjendje të përballen me të vërtetat që tashmë janë publike.
Maliqi tha se skandalet e fundit të publikuara tregojnë pasqyrën e vertetë të udhëheqjes së Kosovës.
“Mungesa e deputetëve të VV në seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita, ka dy kuptime, tregon se nuk është në gjendje të përballet me të vërtetat që tashmë janë publike, dhe injoron opozitën.
Audio-incizimet dhe bisedat e publikuara që tregojnë për koordinimin e VV me Listën Srpska dhe kryeterroristin Radojqic, si dhe ndërhyrjet e brendshme në institucionet e pavarura publike të Dejona Mihalit, deri atë masë sa merrret edhe me reduktime, janë fakte që e zhveshin këtë Qeveri dhe e tregojnë pasqyrën e vërtetë se kë kemi në udhëheqje. Pra, kemi një Qeveri që: 1. është koordinuar me Radojqiçin edhe për ligjet bazike, siç është ligji i Pagave, dhe 2. ka kapur çdo insititucion publik” tha Maliqi për “Gazeta Blic”.Ajo tha se Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së e ka për obligim të dalë para Kuvendit dhe qytetarëve të sqarojë krejt skandalin.
“Shefja e GP te VV, Mimoza Kusari, ashtu siç pranoi në media se janë te vërteta bisedat e ka pas obligim të dalë edhe para Kuvendit dhe qytetarëve të sqarojë krejt këtë skandal. Të paktën demokracia parlamnetare e obligon shumicën parlamentare të jetë e pranishme në Kuvend në çdo seancë” përfundoi Maliqi.
Nga Lëvizja Vetëvendosje deklaruan sot për “Gazeta Blic” se arsyet e mos-pjesmarrjes në seancë janë kërkesa për shkarkim të Kusari Lilës dhe mos votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Kërkesa për shkarkimin e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, si dhe mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Këto janë arsyet kryesore për mospjesëmarrje”, tha deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, për “Gazeta Blic”.