Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Lufta Izreal-Iran është lufte ShBA-Rusi

Lufta Izreal-Iran është lufte ShBA-Rusi

Nga Agron Hoti

Diçka për Euroazi (2)

Sikurse lufta Ukrainë-Rusi që është në fakt luftë SHBA-Rusi, pra Perëndim-Rusi, edhe lufta mbrojtëse e Izraelit kundër Iranit nuk është as më shumë e as më pak sesa luftë SHBA-Rusi, pra Perëndim-Rusi. Edhe lufta Irak-Iran dhe ajo në Afganistan ishte luftë mes SHBA-së dhe BRSS-së/Rusisë. Këto luftëra në Evropë, Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore janë në fakt luftëra frenuese mes shteteve të fuqishme.

Përmes këtyre luftërave Rusia synon të depërtojë sa më Perëndim drejt Evropës për në Atlantik dhe në jug të Azisë drejt Oqeanit Indian, kurse SHBA synon ta frenojë Rusinë në këto synime, prandaj, trajektorja nga Azia Qendrore, Lindja e Mesme, Kaukazi e deri në Ballkan ka tensione të vazhdueshme mes SHBA-së dhe BRSS-së/Rusisë edhe atë që nga Lufta e Dytë Botërore (L2B) dhe mjerisht kjo trajektore vazhdon të jetë pjesa më e paqëndrueshme në glob.

SHBA përmes Izraelit dhe Turqisë ruan Evropën përfshirë Mesdheun Lindor, frenon Iranin, rrjedhimisht Rusinë që kjo e fundit të mos e fusë nën kontroll Gadishullin Arab për të dalë e lirë pastaj në Detin Mesdhe për të vazhduar kështu drejt Oqeanit Atlantik dhe në jug në Oqeanin Indian, nga ku do të rrezikohej Supremacia Detare e SHBA-së, e cila përmes Oqeanit Indian në formë ure kontrollon lidhjen fizike mes Oqeanit Atlantik dhe atij Paqësor (Pacifik).

Edhe Irani përmes mbështetësve të tij nëpër vende arabe e mban SHBA-në sa më larg kufirit të tij. Ndërkohë edhe Rusia përmes rezistencës së Iranit përballë Izraelit e mban SHBA-në sa më larg kufirit të saj. Pra, secili e përdor tjetrin si pararojë të kufirit të tij. Një tension i vazhdueshëm mes shteteve të Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore parandalon një bashkim të këtyre shteteve që kulturalisht të përafërta si mes vete ashtu edhe me fuqi tjera dhe kjo shkon sa në interes të SHBA-së po aq dhe të Rusisë.

Prandaj, si SHBA ashtu edhe Rusia duan të kenë hise në Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore në mënyrë që këto dy rajone të rreshtohen përkrah SHBA-së ose Rusisë, ose së paku të jenë neutrale. Tensionet Izrael-Iran shpërfaqin më së miri projeksionet mes SHBA-së dhe Rusisë në Lindje të Mesme. Edhe ndërhyrjet ushtarake të BRSS-së/Rusisë dhe SHBA-së në Afganistan (Azi Qendrore) synonin ta lëkundnin kufirin e sigurisë rajonale: SHBA synonte ta lëvizte kufirin e sigurisë sa më në veri të Azisë Qendrore, pra sa më afër kufirit të BRSS-së/Rusisë, kurse Rusia sa më në jug, ose që të kenë një Afganistan sikurse sot që s’është as me Rusi e as me SHBA.

Powered by WordPress