Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Rruga alternative” për themelimin e Asociacionit

“Rruga alternative” për themelimin e Asociacionit

Shkruan: Afrim Kasolli

(Mos)themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe i ka shkaktuar jo pak telashe Kosovës. Tashmë thuajse kjo temë është bërë burim i ngërçit ndërkombëtar shtetëror. Shembull më i freskët është edhe dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Shtetet e QUINT-it, ndonëse e përkrahën rrugëtimin për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, në fund kërkuan nga Qeveria që të ndërmarr hapa konkretë në drejtim të themelimit të këtij entiteti, me qëllim që të finalizohej ky proces.

Madje, ish i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Esocbar, kishte deklaruar në një intervistë për Evropën e  Lirë, pasi Kosova e kaloi më sukses hapin e Asamblesë Parlamentare, se megjithatë janë edhe dy parakushte tjera që duhet të plotësohen para festës. I pari ka të bëjë me shpronësimet bë veri dhe i dyti me Asociacionin”. Pra tash nuk mjaftonte vetëm zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, për dhënien e 24 hektarëve tokë këtij objekti të kultit fetar, të cilin e zbatoi Qeveria e Kurtit. Po ashtu, i njëjti diplomat kishte pohuar se “Asociacioni dhe Këshilli i Evropës janë të ndërlidhura, s’e kuptojmë pse Kosova s’e përmbush obligimin”. Në fund të fundit sipas  tij, Prishtina, është pajtuar për ta jetësuar Asociacionin si me planin e Ahtisarit, Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit” etj. Pra është e qartë se sa më shumë që do të zhagitet ky detyrim aq më shumë do të shtohet paqartësia ndërkombëtare shtetërore.

Është e vërtetë se si në Marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2013 të nënshkruar nga ish-kryeministri Hashim Thaci dhe ai serb Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, ashtu edhe me Marrëveshjet e fundit bazë të Brukselit, si dhe aneksin e zbatimit në Ohër, të dakorduara në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuciq, është pajtuar për ta plotësuar këtë kusht. Madje, pikërisht akordi i vitit 2013, ishte ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës, me 2/3 e deputetëve, sipas nenit të Kushtetutës që e mbulon këtë segment të shtetit.

Mirëpo, nëse merret parasysh pikërisht kjo marrëveshje askund nuk thuhet se këtë proces do duhet ta inicioi Qeveria. Me anë të tij shteti i Kosovës vetëm është pajtuar për themelimin e këtij entiteti, struktura e të cilit do të behet mbi të njëjtën “|bazë sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës”. Parashihen kompetencat, kush ka të drejtë dhe mbi çfarë kushte ndonjë komunë mund te jetë anëtare dhe si mund të funksionojë.

Natyrisht, tash janë edhe dy marrëveshjet tjera. Dhe në këtë drejtim sidomos Aneksi i zbatimit në Ohër e komplikon procedurën juridike i cili kërkon që “Për të zbatuar Nenin 7(këtu është fjala për nenin e Marrëveshjen bazë të Brukselit, i cili e parasheh krijimin e vetëmenaxhimit për komunitetin serb), Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së”. Ndërkohë, në tetor të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës e ka pranuar një draft-statut të hartuar nga Bashkimi Evropian, ku ekzekutivit i është kërkuar që ta miratojë paraprakisht dhe ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese.

Mirëpo, pikërisht këta hapa duke e sforcuar gjithnjë e më shumë këtë proces nga niveli vertikal kanë ngritur dilema dhe shqetësime se a mos potencialisht janë në kundërshtim si me Marrëveshjen e 2013 ashtu edhe me Kushtetutën e Kosovës.

Kështu, Jason Steinbaum, nga Grupi për Politikat dhe të Drejtën Ndërkombëtare Publike në SHBA, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka deklaruar, se “kërkesat ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe se do të shkeleshin kompetencat që kjo kushtetutë ua jep autoriteteve komunale”. Sipas një raporti juridik të përgatitur nga ky think tank amerikan, “Kushtetuta e parasheh procesin në bazë në bazë të të cilit komunat marrin vendimin për të themeluar asociacione, apo për t’iu bashkuar atyre, siç edhe ka ndodhur tashmë me krijimin e asociacionit të rregullt të komunave, të cilin e kanë themeluar vetë komunat”( ashtu edhe si e parasheh edhe marrëveshja e vitit 2013). Por që kjo të bëhet, komunat, “duhet të kenë zyrtarë të zgjedhur dhe kjo do të thotë që komuniteti serb vendas duhet të marrë pjesë me kandidatë në zgjedhje. Ata kanë bojkotuar zgjedhjet, kryesisht të nxitur nga Beogradi gjatë viteve të fundit”. Një fakt ky që dëshmon se është pikërisht edhe interes i Serbisë zvarritja sa më shumë e këtij procesi, në mënyrë që Kosova të mbahet peng sa i përket konsolidimit të saj shtetëror.

Në këtë drejtim, shtegdalja nga ky rreth vicioz mbase mund të gjendet duke iu rikthyer marrëveshjes burimore të vitit 2013. Dhe mbi atë bazë të ndërtohet alternativa e plotësimit të këtij obligimi. Rrugë kjo që është braktisur nga politika në Kosovë. Madje, edhe nga opozita. Bie fjala, pohimet e disa zyrtarëve opozitarë, veçanërisht nga PDK-ja, se nëse ata vijnë në pushtet do angazhohen për rinengocimin e draft-statutit aktual, janë një dëshmi e qartë se të njëtit janë duke vepruar sipas logjikës politike të Albin Kurtit, me pretendimin për të dalluar në ndonjë nuancë, në vend të angazhimit për ta kërkuar zgjidhjen për këtë ngërç, sipas asaj marrëveshje e cila daton që nga koha kur ishin vetë ata në pushtet.  /TV Arbëria