Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi është shprehur i lumtur dhe krenarë pas hapjes zyrtare të negociatave për kapitujt e parë drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian(BE).
Lideri i PDK-së këtë moment e quajti si një “kapitull historik dhe mëse të merituar,” që pason një punë të madhe dhe të përgjegjshme nga ana e Shqipërisë.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook tutje theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe zbatimit të reformave të brendshme për arritjen e perspektivave të reja për shtetin dhe shoqërinë shqiptare.
“Shqipëria po dëshmon se përmes seriozitetit dhe angazhimit për reforma, hapen mundësi të jashtëzakonshme,” tha ai, duke përmendur se kjo është edhe një ëndërr dikur e largët për t’u bërë pjesë e BE-së.
Krasniqi ka thënë se beson se me qeverinë e re të Kosovës, në krye me Bedri Hamzën i cili është kandidat i PDK-së pë kryeministër në zgjedhjet parlamentare, edhe shteti ynë do të ketë një perspektivë të ngjashme.
“Me qeverinë e re të Kosovës, në krye me Bedri Hamzën, një perspektivë e tillë e pret edhe shtetin tonë. Urime Shqipërisë, Kryeministrit Rama dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë!” ka shkruar Krasniqi.