Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Freedom House: Liria globale e internetit shënoi rënie për të 14-tin vit radhazi

Freedom House: Liria globale e internetit shënoi rënie për të 14-tin vit radhazi

Organizata Freedom Houese me seli në Shtetet e Bashkuara tha të mërkurën se censura dhe manipulimi i përmbajtjeve dëmtuan aftësinë e votuesve për të marrë vendime të mbështetura në informata të sakta në zgjedhjet në mbarë botën gjatë vitit të kaluar dhe qytetarët në një numër në rritje vendesh u përballën me hakmarrje për fjalën e tyre në internet. Të dy këta faktorë ishin kontribuuesit kryesorë të rënies së lirisë globale në internet për të 14-tin vit me radhë.

Në raportin e publikuar të mërkurën, organizata thekson se qeveritë në të paktën 25 nga 72 vendet e përfshira në analizën e saj shkëputën qasjen në internet, kufizuan qasjen në platformat e mediave sociale ose bllokuan faqet e internetit që publikojnë përmbajtje politike, sociale dhe fetare gjatë periudhave elektorale, shpesh me synimin për të formësuar rezultatet.

“Qeveritë gjithashtu zgjodhën arrestimet, dhunën dhe format e tjera të shtypjes për të heshtur fjalën e lirë në internet jashtë periudhave elektorale. Në të paktën 56 vende, përdoruesit e internetit u arrestuan për shkak të shprehjes së pikëpamjeve të tyre politike, sociale ose fetare. Njerëzit u sulmuan fizikisht ose u vranë si hakmarrje për veprimtaritë e tyre në internet në të paktën 43 vende një numë rekord i lartë”, thuhet në raport në të cilin theksohet se disa nga shkeljet më të rënda ndodhën në kontekstin e konflikteve të armatosura.

“Shkëputja e internetit në mes të luftimeve të tilla i zhytën civilët në boshllëk informacioni, i penguan gazetarët të raportojnë për dhunën dhe penguan shpërndarjen e ndihmave për shpëtimin e jetëve”.

Presidentja e përkohshme e organizatës Freedom House, Nicole Bibbins Sedaca,tha se “njerëzit po luftojnë për të siguruar qasje në informacione të besueshme në internet dhe përhapja e përmbajtjeve të rreme ose mashtruese po ngjall dyshime në rezultatet e zgjedhjeve dhe po mbjell mosbesim afatgjatë në institucionet demokratike”.

Ajo tha se sulmet e dhunshme dhe frikësimi për të heshtur fjalën e lirë në internet u përhapën më shumë gjatë vitit të kaluar, kur në shumë vende të botës po mbaheshin zgjedhje.

“Krijimi i një hapësire të sigurt dhe të besueshme për shprehje të lirë në internet është thelbësore jo vetëm për ruajtjen e lirisë së internetit, por edhe për ruajtjen dhe forcimin e demokracisë”, tha ajo.

Sipas Freedom House, mbrojtja e të drejtave të njeriut në internet u zvogëlua në 27 nga 72 vendet e mbuluara nga raporti. Kirgizia pësoi rënien më të madhe i ndjekur nga Azerbajxhani, Bjellorusia, Iraku dhe Zimbabveja. Liria e internetit shënoi përmirësim në Zambia.

Mianmari dhe Kina renditen si mjediset më të këqija në botë për lirinë e internetit.

Ushtria e Mianmarit ka kryer një shtypje brutale të dhunshme ndaj disidencës që nga marrja e pushtetit në një grusht shteti të vitit 2021, duke përdorur një sistem të gjerë censurimi dhe mbikëqyrjeje për të shtypur kritikat dhe duke burgosur mijëra njerëz për fjalën e tyre në internet.

Kili dhe Holanda u përfshinë për herë të parë në analizën e këtij viti dhe shërbejnë si modele globale për lirinë e internetit.

Raporti vë re mes tjerash se gjatë zgjedhjeve të rëndësishme fushatat dhe propagandistët përdorën Inteligjencën Artificiale, duke theksuar se një mjedis kryesisht i parregulluar për AI lejoi fushatat politike të përdorin teknologjinë e re në mënyra të ndryshme, duke filluar nga format e padëmshme deri te ato shumë mashtruese. Mjetet inteligjencës artificiale, thuhet në raport, u përdorën nga partitë dhe kandidatët për të krijuar rrëfime tërheqëse, për të tallur kundërshtarët politikë, për të arritur audienca të ndryshme dhe madje për të anashkaluar censurën shtetërore në mjediset më autoritare. Në rastet më shqetësuese, aktorët keqdashës përdorën inteligjencën artificiale për të prodhuar informacione të rreme dhe mashtruese.

Shumë qeveri, thuhet në raport, ndërmorën hapa që synonin trajtimin e një hapësire informacioni jo të besueshme gjatë periudhave elektorale, me rezultate të përziera për lirinë e internetit. Ndërhyrjet përfshinin zbatimin e rregullave në lidhje me përmbajtjen në internet, mbështetjen e nismave të kontrollit të fakteve dhe miratimin e udhëzimeve të reja për të kufizuar përdorimin e inteligjencës artificiale në fushatë. Ndërsa disa masa nuk arritën të mbronin në mënyrën e duhur shprehjen e lirë dhe qasjen në informacione të ndryshme, modelet më premtuese, thuhet në raport, u zbatuan në Afrikën e Jugut, në Tajvan dhe në Bashkimin Evropian.

“Një internet i lirë dhe i hapur është i domosdoshëm për një demokraci që funksionon mirë në shekullin e 21-të”, tha bashkautorja e raportit, Allie Funk, drejtoreshë kërkimore e organizatës Freedom House për teknologjinë dhe demokracinë. “Për të ndalur rënien globale të lirisë së internetit, politikëbërësit dhe kompanitë duhet të ripërtërijnë angazhimet e tyre për të mbrojtur shprehjen e lirë, për të mbrojtur qasjen e larmishme në informacione dhe për të rritur mbështetjen për shoqërinë civile lokale.”

Mes propozimeve për tejkalimin e situatës në botë, raporti renditë promovimin e lirisë së shprehjes dhe qasjes në informacion. Qeveritë, thuhet në tekstin e raportit, duhet të ruajnë qasjen në shërbimet e internetit, platformat dixhitale dhe teknologjinë kundër censurës, veçanërisht gjatë zgjedhjeve, protestave dhe periudhave të trazirave ose konflikteve. Vendosja e ndalimeve të drejtpërdrejta ose arbitrare në mediat sociale dhe platformat e mesazheve, kufizon në mënyrë të padrejtë shprehjen e lirë dhe qasjen në informacion.

Organizata bën thirrje për mbrojtjen e integritetit të informacionit duke theksuar se nxitja e një hapësire informacioni me cilësi të lartë, të larmishme dhe të besueshme kërkon një qasje të të gjithë shoqërisë. Politikëbërësit duhet të rrisin mbështetjen për shoqërinë civile dhe median lokale, të investojnë në programet e edukimit qytetar dhe të nxisin sektorin privat që të jetë më transparent dhe më i përgjegjshëm, thuhet në raport në të cilin theksohet se mbrojtja e internetit të lirë dhe të hapur duhet të trajtohet si një shtyllë e demokracisë.

Raporti mbi lirinë në internet është një studim vjetor i të drejtave të njeriut në sferën dixhitale. Projekti vlerëson lirinë e internetit në 72 vende, që përbëjnë 87 për qind të përdoruesve të internetit në botë. Raporti i sivjetmë mbulon zhvillimet midis qershorit të vitit 2023 dhe majit të vitit 2024. /VOA

Powered by WordPress