Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha në një prononcim për TV Arbëria ka komentuar deklaratat e Alexander Kasanof, të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, gjatë një vizitës që kishte në Kosovë.
Berisha tha se deklarata e Kasanof për dërgimin e draftit të Asociacionit në Kushtetuese, është një vijim i qëndrimi të qartë të SHBA-ve ndaj Kosovës dhe Serbisë.
“Vizita e Alexander Kasanof, si i dërguari i ri i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, dhe kërkesa për të dërguar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, është një vijim i qëndrimit të qartë të SHBA-së ndaj Kosovës dhe Serbisë, që ka qenë konsistent pavarësisht ndryshimeve të figurave diplomatike. Para se të vihej deri te Marrëveshja e Ohrit apo Plani franko-gjerman, Aneksi Ohrit dhe pranimi i Statusit të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, diplomatët amerikanë si Hovenier sugjeruan se “Kosova nuk duhet të shkelë kushtetutën e vet.” Më pas, edhe Escobar, ende pa e pranuar marrëveshjen, tha se “ne nuk presim që Kosova të shkelë interesat e veta kombëtare”, ka deklaruar Berisha.
“Kërkesa për ta dërguar këtë draft në Gjykatën Kushtetuese vjen pasi që është pranuar tashmë nga qeveria e Kosovës në tetor 2023 dhe është konfirmuar edhe me shkrim nga krerët aktualë të shtetit, në KE. Pra, kjo kërkesë e të dërguarit amerikan nuk është e re dhe përsëritet si një linjë e vazhdueshme e politikës amerikane që synon gjetjen e një zgjidhjeje kushtetuese për Asociacionin. Kjo është reflektuar edhe në vizitat e mëparshme të Gabriel Escobar, i cili gjithashtu ka shtyrë përpara këtë kërkesë. Ndryshimi i emrave në përfaqësimin diplomatik nuk duket se po ndryshon qasjen themelore të SHBA-së për çështjet kyçe në Kosovë, përfshirë edhe Asociacionin”, ka thënë tutje ai.
Deputeti i PDK-së tha se është shqetësues fakti që administrata e SHBA-së ka treguar jokonsistencë në qëndrime rreth marrëveshjeve.
“Megjithatë, është shqetësues fakti se edhe vet administrata e SHBA ka treguar jokonsistencë në qëndrime nëse flasim për marrëveshjet e garantuara nga SHBA. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ëashingtonit në shtator të vitit 2020, në administratën e Presidentit Trump, pati një zotim për zbatimin e detyrimeve nga kjo marrëveshje edhe nga administrata e Presidentit Biden, por edhe nga Sekretari i Shtetit Blinken. Konsideroj se konsistenca e SHBA dhe e diplomatëve të atashuar është dashur të jetë në zbatimin e asaj marrëveshje’, ka thënë Berisha.
Sipas Berishës, SHBA ka dëshmuar se e respekton atë që e pranon Kosova.
“Fakti se qeveria Kurti e refuzoi marrëveshjen e Washingtonit si dhe atë të Brukselit “All in One” me njohjen e ndërsjellë, dëshmon se SHBA do ta respektojnë atë që pranon vet Kosova”, ka thënë ai.
Deputeti nga PDK-ja tutje thotë se SHBA-të po sugjerojnë krijimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetuesen, dhe shton se kjo mbetet një prioritet strategjik për të avancuar dialogun.
“Përkundër këtyre zhvillimeve në dëm të Kosovës, cënimit të interesave kombëtare dhe rendit të saj kushtetues, SHBA-të po sugjerojnë krijimin e Asociacionit, në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kjo tanimë mbetet një prioritet strategjik për të avancuar dialogun dhe stabilitetin rajonal. Kosova përballet me presione të vazhdueshme për të avancuar këtë proces, edhe pse ka kundërshtime të forta brenda vendit për këtë marrëveshje, qoftë nga spektri politik opozitar, ekspertë vendorë e ndërkombëtarë njohës të së drejtës ndërkombëtare dhe situatës në Ballkan e Kosovës në veçanti, si dhe shoqëria civile. Pra, politika dhe kërkesat ndërkombëtare dhe në administratën amerikane po mbeten të qëndrueshme, edhe pse figurat diplomatike ndryshojnë”, ka thënë deputeti.
Deputeti Berisha ka deklaruar se problem po qëndron tek Qeveria Kurti.
“Problemi është te agjenda politike e qeverisë Kurti, a do të vazhdojmë përpara me koordinim dhe mbështetjen e SHBA dhe aleatëve në BE, apo do të vazhdojë të ndërtojë agjenda sektare me prapavija që po dëmtojnë integritetin dhe sovranitetin politik të Kosovës si shtet i pavarur e unitar në territor”, tha Berisha për TV Arbëria.