![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/pdk-2025.gif)
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami thotë se Lëvizja Vetëvendosje nuk po i ndalë “manipulimet me numra”.
Duke iu referuar lajmit se Bashkimi Europian e ka miratuar agjendën e reformave të Kosovës për të përfituar nga “Plani i Rritjes”, ajo kujton se zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu me Serbinë është kushti për Kosovën për të pasur qasje në milionat e BE-së.
“Derisa masat ndeshkuese të BE-së po i kushtojnë Kosovës qindra miliona Euro, Zyra e propagadës së LVV po lavdërohet se Kosova përfiton 880 milionë Euro nga “Plani i Rritjes”, ndërsa nuk po tregojnë se për të përfituar nga këto fonde kusht për Kosovën është zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe i ankesit të Ohrit Manipulimet me numra nuk kanë të ndalur, dje LVV paska dalë me komunikatë se Kosova përfiton 880 milionë Euro”, shkroi Bajrami në një postim në Facebook.
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/ldk-2025-1.gif)
Ajo ka përmendur disa fakte, duke shkruar se për të përfituar nga fondi që i afrohet 1 miliardëshit, Kosova duhet ta zbatojë edhe Asociacionin.
“Lë t’i themi disa fakte: Është e vërtetë se Kosova është pjesë e “Planit të Rritjes” (Growth Plan) që është një fond prej 6 miliardë Euro për Ballkanin Përendimor, për periudhën 2024-2027, prej tyre 2 miliardë Euro janë grante, pjesa tjetër është kredi, por gjithashtu është e vërtetë se Kosova nuk i ka përfitu 880 milionë Euro, Kosova ka potencial të përfitoj këto mjete kur t’i plotëson kushtet që vendosën nga BE. Është e ditur se edhepse për Kosovën nuk ishte parakusht për tu bërë pjesë e Planit të Rritjes, për të përfituar nga ky fond përpos kritereve teknike Kosova duhet të zbatoj të gjitha detyrimet e dala nga marrëveshja për normalizim dhe ankesi i Ohrit, pra edhe Asociacioni”, shkroi Bajrami.
Për të gjithë ata që, siç tha ajo, “i besojnë propagandës së LVV-së”, deputetja shkroi për 5 projekte të cilat “për shkak të masave të BE-së nuk po mund të zbatohen dhe humbja për Kosovën është rreth 293 milionë Eurove”.
Ajo përmendi grantet milionëshe në bujqësi, projektin e riciklimit të mbeturinave, projektin për trajtimin e ujit dhe mbeturinave e rehabilitimin e rrjetit të KOSTT-it, që janë pezulluar për shkak të masave ndëshkuese nga BE-ja.
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/nisma-2025.gif)